Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj një zyrtari komunal të Dragashit
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, më 7 shtator 2021, në Dragash, A.S., në cilësinë e referentit pranë Zyrës Kadastrale të Drejtorisë për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtjen e Mjedisit të Komunës së Dragashit, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim përfitimi ose shkaktimi të dëmshëm për personin tjetër, përcjell Telegrafi.
Ai ka regjistruar pa bazë ligjore ngastrat kadastrale P-457, P-1478 dhe P-2138 të fshatit Brezne, që i përkisnin qytetarit D.B., në emër të qytetarit H.B., duke i lëshuar këtij të fundit certifikatën e pronësisë më 7 shtator 2021, në kundërshtim me certifikatën ekzistuese të pronësisë të datës 14 gusht 2018 të lëshuar për D.B.
Në aktakuzë thuhet se më 2 nëntor 2021, A.S. përgatiti një shpjegim me shkrim për Gjykatën, të cilin e nënshkroi dhe e vulosi me vulën zyrtare të autoritetit kadastral, pa protokollimin e nevojshëm, duke paraqitur sqarime për veprimet e tij dhe duke i shkaktuar dëmtuarit D.B. dëm në vlerën prej 250,000 euro.
Aktakuzën e ka bërë publike Prokuroria Themelore e Prizrenit, duke theksuar rëndësinë e ndjekjes ligjore të rasteve të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mbrojtjen e pronës së qytetarëve. /Telegrafi/


