Aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë për trafikim të kokainës dhe armëve
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.P., për tri vepra penale që lidhen me posedimin dhe shitjen e kokainës, si dhe posedimin dhe shitjen e paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, S.P. dyshohet se deri më 6 maj 2025, në Gjakovë, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes, ka poseduar 449.16 gramë kokainë. Gjatë bastisjes, sipas Prokurorisë, janë sekuestruar edhe një peshore elektronike dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për paketimin e substancave narkotike.
I pandehuri akuzohet edhe se, në fshatin Mejë të Komunës së Gjakovës, në kundërshtim me Ligjin për Armët, ka poseduar pa autorizim armë zjarri, municion dhe pjesë të armëve, të cilat janë sekuestruar gjatë bastisjes nga zyrtarët policorë.
Ndërkaq, sipas pikës së tretë të aktakuzës, S.P. dyshohet se deri më 6 maj 2025 është marrë pa autorizim me shitjen dhe ndërmjetësimin e shitjes së armëve dhe municionit për persona të ndryshëm.
Prokuroria thotë se dyshimet për këtë vepër mbështeten në provat e siguruara gjatë masave të fshehta të hetimit dhe ekzaminimit të telefonit të të pandehurit, përmes të cilave, sipas saj, është dokumentuar komunikimi lidhur me shitjen dhe ndërmjetësimin e armëve.
Në lidhje me rastin, Prokuroria ka propozuar edhe konfiskimin e dy automjeteve, një Volkswagen Golf 7 dhe një Volkswagen Golf 8, si dhe të shumës prej 2 mijë e 325 eurosh para të gatshme.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë./Telegrafi/


