Please enter at least 3 characters.

Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve policorë në Pejë për marrje ryshfeti

Prokuroria Themelore në Pejë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve policorë, A.Sh dhe S.K, për veprën penale “Marrje ryshfeti”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve të Njësisë së Trafikut në Pejë, dyshohet se më 20 prill 2025, në fshatin Poterq të Klinës, gjatë një pikë kontrolli, i kishin kërkuar para një qytetari për të mos i shqiptuar gjobë për tejkalim shpejtësie dhe shkelje të rregullave në trafik.

Në detaje, sipas prokurorisë, i pandehuri S.K kishte ndaluar veturën “Golf 8”, ndërsa të dy zyrtarët i kishin kërkuar qytetarit që shumën prej 20 eurosh, apo më shumë, ta dërgonte në një pompë derivatesh në Pejë. Punëtori i pompës, që figuron si dëshmitar në rast, kishte dorëzuar më pas kartëmonedhën e parave tek zyrtari policor A.Sh.

Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Prokurori i çështjes ka propozuar që të dy të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, ka kërkuar që gjykata t’u shqiptojë ndalim për ushtrimin e profesionit përveç dënimit për veprën penale./Telegrafi/