Please enter at least 3 characters.

Aksion i Policisë në Ferizaj, sekuestrohen 6 kamionë me dru pa dokumente

Në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion kontrollues në fshatin Dardani të Ferizajt, ku janë ndaluar gjashtë automjete që transportonin lëndë drusore pa dokumentacion të nevojshëm.

Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, automjetet e ndaluara janë kamionë me targa vendore.

Pas verifikimit, është konstatuar se shoferët nuk posedonin dokumentacionin përkatës për transportin e druve, ndaj malli dhe automjetet janë sekuestruar.

Zyrtarët e pylltarisë janë njoftuar për procedurat e mëtejme ligjore.

Policia ka theksuar se në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të vazhdojë angazhimin për të parandaluar dhe luftuar prerjen dhe transportin e paligjshëm të drunjve, duke ftuar edhe qytetarët që të kontribuojnë përmes raportimeve.

Të gjithë ata që kanë informacion mbi aktivitete të tilla, mund të lajmërojnë rastet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” apo në numrat 192 dhe 0290/326-250. Policia garanton konfidencialitet të plotë për të gjitha informacionet e raportuara. /Telegrafi/