Ahmeti-Ceka: Në fokus mbetet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, Ligji për Gjuhën Shqipe dhe integrimi në BE
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut, Bruno Ceka, ku është biseduar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët.
Ahmeti në Facebook shkruan se në fokus të takimit kanë qenë stagnimi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, cenimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe dhe nevoja për garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si orientimin e vetëm strategjik të vendit, si dhe për domosdoshmërinë e forcimit të partneritetit të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim është trajtuar edhe çështja e ngërçit lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës. Ahmeti ka theksuar nevojën për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi, duke vlerësuar se ai prek drejtpërdrejt shumë të rinj profesionistë dhe kërkon zbatim të kuadrit ligjor ekzistues nga institucionet kompetente.
Kryetari i BDI-së e ka vlerësuar takimin si të dobishëm, duke theksuar se ai u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për përshpejtimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.


