Please enter at least 3 characters.

Agjencia "fantazmë" që mashtronte shqiptarët me punësim jashtë vendit (Foto)

2016/04/Ande-620x354.jpg

Agjencia përdorte një skemë të ngjashme me firmat piramidale: me premtimin për kontrata pune jashtë vendit, qindra shqiptarë janë gënjyer nga agjencia e cila ka përfituar shuma të majme parash përgjatë viteve

Policia e Tiranës arrestoi të hënën një person dhe shpalli në kërkim dy të tjerë me akuzën për mashtrim.

Burime zyrtare nga blutë e kryeqytetit bënë me dije se në pranga ra 25-vjeçari Klevis Rreshka, banues në Tiranë, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetaset Lule Makashi, 51 vjeçe dhe Adeila Makashi, 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.

Sipas policisë, në bashkëpunim mes tyre, personat e mësipërm kanë mashtruar një numër të konsiderueshëm shtetasish duke u premtuar dokumente punësimi dhe studimi për në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi, Angli etj., duke u marrë shuma të konsiderueshme monetare rreth 27 personave nga qytete të ndryshme të vendit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrim”, parashikuar nga Neni 143/2 i Kodit Penal.

Skemë piramidale

Policia e kryeqytetit u vu në lëvizje pas denoncimeve të marra nga rreth 30 persona që kishin rënë viktimë e “Ande-LM”, kompani e cila prej vitesh u ofronte shqiptarëve punësim dhe studim jashtë vendit në këmbim të shumave monetare. Ajo përdorte një skemë të ngjashme me firmat piramidale: me premtimin për kontrata pune jashtë vendit, qindra shqiptarë janë gënjyer nga agjencia e cila ka përfituar shuma të majme parash përgjatë viteve. Pasi kanë kaluar më shumë se dy vjet që nga koha e aplikimit dhe e kryerjes së pagesës, ata nuk kanë marrë atë që prisnin.

Lule Makashi

Administratorja e agjencisë, Lule Makashi, ka marrë arratinë bashkë me milionat e lekëve të mbledhura nga pothuajse dy mijë aplikantë. 51-vjeçarja është gruaja e ish-drejtorit të policisë së Durrësit, Edmond Makashi, i cili i dha fund jetës përmes vetëvrasjes. Bashkë me të, në kërkim është shpallur edhe e bija Adeila, e cila punonte si konsulente në agjencinë “Ande-LM”.

Adeila Makashi

Një nga viktimat e ka denoncuar në portalin “Jetaoshqef.al” mashtrimin që i është bërë asaj dhe shumë të tjerëve. Bashkë me denoncimin vajza ka dërguar një sërë provash që janë dëshmi e një skeme mashtrimi që u është bërë këtyre qytetarëve të cilët kanë shpresuar për një jetë tjetër jashtë Shqipërisë. Përveç parave të humbura, vajza ka pësuar edhe një dëm psikologjik pasi ka ndërprerë shkollën dhe ka lënë tri herë punën duke shpresuar se do të nisej për Kanada nga dita në ditë.

Vajza denoncuese thotë se ka folur edhe me një avokat kanadez të quajtur Kieran Verboven, të cilin e ka pyetur për rastin e vet, por ai ka mohuar që të jetë bërë ndonjë pagesë në emër të saj.

Nga foltorja e Parlamentit, në prangat e policisë

Një tjetër person i përfshirë në këtë skemë është Klevis Rreshka. 25-vjeçari me origjinë nga Librazhdi, banues në Tiranë, u arrestua dje pas denoncimit të qytetarëve. Mësohet se ai është denoncuar edhe më parë për mashtrim. Sipas raportuesve, ai fshihet pas një organizate fantazmë VNDA,  e cila siç duket ka filluar bashkëpunimet me agjencinë “Ande-LM”.

Rreshka ka qenë pjesë e një sërë aktivitetesh të ndryshme të organizatave ndërkombëtare. Ai paraqitet si drejtues i organizatës “Vision for National Development LLC”. Në një foto të postuar në “Facebook”, 25-vjeçari shfaqet duke mbajtur një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, në prani të ish-ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu dhe ministres Lindita Nikolla.

Klevis Rreshka