Please enter at least 3 characters.

Agim Veliu kërkon zgjedhje në parti: LDK-ja nuk mund ta paraqesë rezultatin zgjedhor si sukses

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka kritikuar ashpër lidershipin aktual të partisë pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke vlerësuar se rezultati nuk mund të interpretohet si sukses dhe se përgjegjësia politike bie mbi drejtuesit e partisë.

Përmes një postimi në Facebook, Veliu tha se qytetarët e kanë dhënë qartë verdiktin e tyre, ndërsa LDK-ja ka mbetur në vendin e tretë, larg pritjeve që sipas tij i kishte krijuar vetë udhëheqja e partisë gjatë dhe para fushatës zgjedhore.

Ai theksoi se përgjegjësia për këtë rezultat bie kryesisht mbi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe presidenten Vjosa Osmani, të cilët i cilësoi si “arkitektët kryesorë” të projektit politik që, sipas tij, nisi “me hile”.

Veliu akuzoi lidershipin aktual për centralizim të partisë, margjinalizim të mendimit ndryshe dhe largim nga baza elektorale, duke shtuar se paralajmërimet e veprimtarëve dhe aktivistëve të LDK-së për këto probleme janë shpërfillur.

“Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza”, tha ai.

Ish-deputeti kërkoi që udhëheqja aktuale të pranojë dështimin e projektit të saj për transformimin e partisë dhe të nisë një proces të rregullt e transparent zgjedhor brenda LDK-së.

Sipas Veliut, partia ka nevojë për përgjegjësi konkrete dhe për figura politike të dëshmuara, të cilat gëzojnë mbështetje të gjerë dhe vendosin interesin e partisë mbi interesat personale apo grupore.

“Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale. Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies”, u shpreh ai.

Në fund, Veliu vlerësoi se nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të nisë nga maja e partisë, duke shtuar se “LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj”./Telegrafi/