Admir Qose: 'Alsat M' është ai që lufton vetëm me argumente dhe jo me figura politike
Ai tregon sesi do t'i japë medias atë që i ka munguar dhe është dashur të ndryshojë më parë. Më konstruktivë dhe më të argumentuar, më kritikë dhe më gjithëpërfshirës se më parë.
Ja intervista e plotë e Qoses nga gazeta KOHA
KOHA: Prej pak kohësh jeni ulur në postin e kryeredaktorit të televizionit Alsat-M. Çfarë do të sjellë ky ndryshim tek shikuesit dhe më gjerë?
QOSE: Televizioni Alsat-M para disa kohësh festoi 10 vjetorin e themelimit dhe ajo që u vu në theks - është rruga që televizioni e ka të trasuar tashmë. Prej vitesh ne ecim në këtë rrugë shumë të sigurt dhe ideja është që ne i shërbejmë një tregu më të gjerë. Alsat-M tashmë ka një moto që nënkupton Alsat-M për të gjithë dhe ne jemi përpjekur, përpiqemi dhe do të përpiqemi gjithashtu që edhe në të ardhmen, çdo hallkë e shoqërisë të ketë zërin e saj. Ky është koncepti që jorastësisht na ka vendosur të dytët në tregun mediatik në nivel nacional dhe të mos flasim për pjesën shqiptare që na mbështesin me 76 për qind, jo vetëm për shikueshmëri, por edhe për besueshmëri. Alsat-M i ka vendosur themelet e veta shumë fuqishëm dhe sigurisht që në këto kohë të reja dhe me ardhjen time në këtë pozitë, do të bëjmë lëvizje interesante që mbi të gjitha i përshtaten jo vetëm rrethanave shoqërore, por edhe atyre politike e të gjithë spektrit mediatik. Duhet të bëjmë një format të ri organizativ, i cili gradualisht është në rimëkëmbje, një frymim të ri jo vetëm për gazetarët, por edhe për departamentet tona të lajmeve. E kam fjalën për miniredaksitë, pra një miniorganizim i brendshëm, i cili do të japë një liri, por edhe përgjegjësi më të madhe gazetarëve. Ato të kenë përgjegjësi për ato që bëjnë, por njëkohësisht të kenë edhe zërin e barabartë në ekip. E kuptoj që Alsat-M e ka ndjekur shumë lajmin politik, për shkak edhe të situatës politike të krijuar, por unë kam shumë dëshirë që t'i jap edhe një diapazon të ri, në kuptimin të kemi aspektin shoqëror, padallueshëmërinë etnike, siç e kemi pasur deri më sot, ta vazhdojmë dhe ta forcojmë atë, të mbjellim sa më shumë bashkëjetesë, por nga ana tjetër - të japim një frymim më të madh edhe nga aspekti kulturor-shoqëror. Pra të mos bëjmë thjeshtë një ditar politik edicionin e lajmeve, por të bëhet sipas një paketimi të jashtëzakonshëm, të bukur, në mënyrë që të përqafohet nga të gjitha kategoritë e shikuesve dhe padyshim unë besoj se do të jetë jashtëzakonisht i mirëformuar. Jemi duke punuar në atë drejtim, jo vetëm nga aspekti vizual, të cilat së shpejti do të mund t'i ndjekim këto ditë në ekran, që nga sigla, promet, e të tjera. Por duhet të theksohet se vijmë me një format në të cilën do të ruajmë muzikën tonë të lajmeve që shërben si një himn për të gjithë shikuesit, por njëkohësisht ruajmë edhe ngjyrat tona, që janë element identifikues i televizionit tonë - e bardha e argjendtë, e kuqja dhe e zeza. Me këtë spektër që reflekton edhe imazhin e televizionit tonë. Nga aspekti përmbajtjesor - ka lëvizje të reja dhe frymim të ri, gjë për të cilën shpresoj dhe besoj se do të jetë shumë më frytdhënës nga çfarë ka qenë deri tani. Alsat-M duhet të bënte rifreskime më të shpeshta, edhe pse kemi pasur të tilla. Por tani me frymën e re dhe rregullat e reja që vendos tregu me paraqitjen edhe të mediave të tjera, nuk është aspak e çuditshme që të jemi më konkurrues, më të gatshëm dhe më pranë qytetarit. T'i pyesim se çfarë kërkojnë, çfarë është e nevojshme për ata që të shohin në ekran, deri edhe tek hollësitë se çfarë janë ato më të përqafueshmet dhe ato më pak të bezdisshme për sytë e tyre. Ndoshta edhe për shkak të mungesës së tregut që ne kemi pasur më herët ne kemi pasur një formë, të themi një ecje graduale, por edhe pa oscilacione të fuqishme. Tani është momenti që ne duhet të luftojmë më fuqishëm, jo vetëm në aspektin vizual, por edhe në atë përmbajtësor. Jam partizan i madh i ndryshimeve, më pëlqen shumë të ndryshoj, por njëkohësisht jam po aq edhe konservator kur bëhet fjalë për logo, sigla, si vjen fjala për lajmet, apo edhe studiot e emisioneve. Pra, më shumë sesa drastike - ndryshimet për këtë pjesë i ngjajnë ndërhyrjeve të kujdesshme, finesave, të cilat janë tregues se ne rinovohemi. Emisionet, po ashtu do të ruajnë formatin e njëjtë, brendet tona, vetëm se pasurohen në aspektin përmbajtësor. Ashtu siç janë "Rruga drejt", "360 gradë", i cili do të zgjerohet edhe në spektrin investigativ, po ashtu edhe emisioni i mëngjesit do të pasurohet, në mënyrë që njerëzit të çelin sytë me informacionet e Alsat-M, e të tjera. Pra, besoj se kjo frymë dhe ky organizim i ri do të sjellë një pamje më të përforcuar të televizionit tonë.
KOHA: Këto ditë po tentohet të imponohet ideja se Alsat-M do të ndryshojë edhe politikën redaktuese. Sa është e vërtetë dhe pse qarkullojnë këto lajme?
QOSE: Në rrjetet sociale po qarkullojnë shumë ide të tilla nëse Alsat-M po ndryshon politikën dhe mund të them me plot gojën se një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë. Janë thjesht tymnaja dhe thashetheme, të cilat nuk na përkasin neve. Pikërisht në sajë të kësaj politike, Alsat-M gjendet sot në këtë nivel. Nuk mund të ndryshojë papritur politikën e vet editoriale. Kjo do të nënkuptonte një rokadë për të gjithë ne, pasi ne këtë politikë e kemi bërë dhjetë vjet dhe nuk mund ta ndryshojmë, nuk mund të shfaqemi më katolikë se Papa, apo nga dikush tjetër. Pra absolutisht nuk ka lëvizje të politikës editoriale, por ka rinovim të saj, më shumë konstruktivizëm dhe më shumë argumente. Madje, ne do të jemi akoma edhe më të fuqishëm në denoncimin e akteve korruptive, krimit, çfarëdo qofshin ato paaftësisë së njerëzve, qofshin ato në pozitë, apo opozitë, pasi ne konsiderojmë se shanset e klasës politikë janë të barabarta, si ato që janë në pushtet apo edhe ata që janë në opozitë dhe ambientohen me të ndenjurit duarkryq. Lufta duhet të jetë e fuqishme, jo vetëm për pushtetin, por edhe për shoqërinë dhe përparimin e saj. Kështu që ne do të qëndrojmë korrekt në këtë luftë dhe do të denoncojmë çdo gjë që do të ketë, por këtë do ta bëjmë me argumente. Ne do të ecim në këtë rrugë dhe unë tashmë kam filluar të ndërtoj ekipin e njerëzve brenda dhe jashtë redaksisë. Po ashtu, parimi im është që të mos vendosim limite ndaj njerëzve, personave që do të kemi në ekran, por e theksoj gjithmonë duhet të kemi argumente të cilat do të mbeten, në vend të sharjeve dhe ofendimeve. Alsat-M nuk bën një luftë ndërpersonale me njerëzit, dhe as me figurat politike.
KOHA: Ka ndodhur kjo më parë?
QOSE: Alsat-M ka qenë goxha konsistent për të ruajtur imazhin e vet dhe ka tentuar që një gjë e tillë të mos zhvendoset në ekran, por ndërkohë jemi vazhdimisht të dyzuar pasi fatkeqësisht portali më i klikuar mediatik, nëse do ta quaja kështu - është Facebook-u, më shumë sesa televizioni apo informimi i drejtë dhe shoqëria jonë e ngushtë edhe e vogël më së shumti shqetësohet se çfarë thotë bota në Facebook apo ç'thonë palë të treta sesa të kontaktojnë personin, apo autoritetin e duhur për t'u informuar në formë korrekte. Pra, thjesht edhe për t'i dhënë fund kësaj tymnaje dhe bumi "fejsbukoid" - ne jemi akoma më të fuqishëm për të treguar se Alsat-M është ai që lufton vetëm me argumente dhe jo me figura të ndërpersonalizuara.
KOHA: Meqenëse jemi tek tymnajat, si janë raportet me pronarin e televizionit dhe me politikën redaktuese të televizionit?
QOSE: E dimë shumë mirë sesi janë raportet mes pronarëve dhe stafit, në mediat në Shqipëri, po të kihet parasysh sa nga vijmë. Ajo se çfarë kam gjetur këtu dhe jo vetëm unë, por të gjithë kolegët në televizionin Alsat-M është se kam gjetur jo thjesht një pronar, por një mik. Feriku është një person shumë i shoqërueshëm, ne pimë kafe thuajse çdo ditë, dhe nuk është një kafe me redaktorët, por edhe me gazetarët. Flasim për shumë gjëra e tema, aq hapur dhe kuptohemi shumë mirë, pasi edhe mosha është afërisht e njëjtë. Dhe ky është edhe një prej çelësave të suksesit të televizionit. Tek ne nuk ka një hierarki të tillë që t'i komandojë punonjësit si marioneta. Tek ne ekziston fryma e bashkëpunimit, kolegjialitetit, por dua të theksoj edhe ndjenjën e përgjegjësisë. Sepse, në fund të fundit - puna e secilit është imazhi i televizionit dhe ata duhet ta vetkonceptojnë njëri-tjetrin si ingranazhe të së njëjtës makinë që punën mirë, por që duhet të funksionojë akoma edhe më fuqishëm. Të gjithë duhet të shihemi si pjesë përfshirëse e këtij procesi, e jo përjashtuese. Pra, të gjitha ato kafe që ne pimë mes vetë kolegëve, apo edhe me pronarin, ky ndërtim i kolegjialitetit na jep një mundësi të shkëlqyer për të qenë të gjithë një. /Telegrafi/
Poashtu lexo: Admir Qose kryeredaktor në Alsat M: E kam 'ndezur motorin ekipor'


