Ademi: Më 19 nëntor mbaron fushata, por udhëtimi ynë sapo fillon
"Si Shtab Qendror, kemi vendosur të anulojmë të gjitha aktivitetet elektorale të Ali Ahmeti për ditën e premte, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën gjithëkombëtare në Tiranë – në mbështetje të çlirimtarëve, bashkëthemeluesve të tij të UÇK-së së lavdishme", tha sot në konferencën për shtyp nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.
"Ky është një akt solidariteti kombëtar, por edhe një kujtesë për ata që harrojnë se liria dhe të drejtat nuk dhurohen – ato fitohen me sakrificë.
Në këto javë, Aleanca Kombëtare për Integrim qëndroi me dinjitet, me qetësi dhe me ofertë konkrete për qytetarët. Ne nuk u morëm me shpifje, me fushata të zeza apo me manipulime. Folëm me gjuhën e fakteve, të vizionit dhe të përgjegjësisë. Fushatën tonë e ndërtuam mbi besimin, jo mbi frikën.
Fatkeqësisht, kundërshtarët tanë zgjodhën rrugën tjetër – rrugën e shpifjeve, të fabrikimeve dhe të skenarëve të errët. Në vend të ideve, ofruan shpifje e gënjeshtra; në vend të projekteve, shpikën skandale; në vend të garës për zhvillim, nxitën përçarje.
Që në fillim, vetë Kryeministri deklaroi se “esenca e këtyre zgjedhjeve është zhdukja e BDI-së nga skena politike”, dhe më pas foli për “pensionimin politik të Ali Ahmetit”. Kjo nuk është thjesht gjuhë politike – kjo është nostalgji për një kohë kur shqiptarët duhej të ishin nën urdhra e jo bashkë vendimmarrës", tha Ademi.
Ademi shtoi se më 19 nëntor përfundon fushata elektorale, por rruga e tyre sapo ka filluar./Telegrafi/


