Please enter at least 3 characters.

Acarimi i serishëm i raporteve mes Turqisë dhe Greqisë

2018/11/opinion.jpeg

Genc Çaushi

Retorika e acaruar së fundmi mes Greqisë dhe Turqisë, dy vende fqinje dhe anëtare të NATO-s, tashmë është zhvendosur nga kryeqytetet respektive, përtej oqeanit në foltoren e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. Duke folur të martën në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-s në Nju-Jork, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kritikoi Athinën për politikat e saj të dhunshme ndaj emigrantëve. Ai tha se Greqia po e kthen Detin Egje në një varrezë, si rezultat i sjelljes së dhunshme të vazhdueshme nga roja bregdetare greke ndaj emigrantëve dhe refugjatëve.

I menjëhershme ishte reagimi po nga Nju-Jorku, i ministrit te Jashtëm grek Nikos Dendias ndaj komenteve të presidenti turk. “Vendi që po instrumentalizon çështjen e emigrimit, duke rrezikuar dhjetëra mijëra jetë njerëzish, vjen këtu për të akuzuar Greqinë për krime kundër njerëzimit”, tha ministri Dendias. Ai shkoj edhe më tej kur thekson se Turqia ka një “casus belli” në fuqi dhe vë në dyshim sovranitetin grek mbi ishujt e Egjeut.

Analistë të ndryshëm perëndimorë pohojnë se marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve “aktualisht po përjetonin një nga periudhat e tyre më të këqija për vite me radhë” dhe se njëkohësisht rrezikojnë të destabilizojnë rajonin dhe te dobësojnë  NATO-n, në një kohe që kërkohet unitet kundër Rusisë ndaj agresionit të saj në Ukrainë. “Qëndrimi turk është një faktor destabilizues për unitetin dhe kohezionin e NATO-s, duke dobësuar krahun jugor të Aleancës në një moment krize”, thotë Dendias, duke iu referuar konfliktit në Ukrainë. Ekspertët janë të shqetësuar se nëse tensioni përshkallëzohet deri në pikën e armiqësive, Rusia mund të përfitojë.

Ndërkohë Erdogan ka shtuar kritikat ndaj asaj që Turqia e quan një rritje ushtarake greke në ishujt afër vijës së saj bregdetare, si dhe mbështetjen ushtarake perëndimore për Athinën, me të cilën Ankaraja ka mosmarrëveshje të gjata territoriale. “Ata kanë ishuj në zotërim, kanë baza ushtarake në këto ishuj dhe nëse kërcënimet e paligjshme ndaj nesh vazhdojnë, durimi ynë ka një kufi”, tha Erdogan gjatë një vizite në Ballkan në fillim të këtij muaji. Greqia thotë se duhet të mbrojë ishujt e saj lindorë - duke përfshirë pikat e nxehta turistike ishujt Rodos dhe Kos, të cilat janë shumë më afër Turqisë sesa me kontinentin grek - kundër fqinjit të saj më të madh dhe më të fortë ushtarakisht. Dendias ka akuzuar Turqinë për kryerjen e 6 100 shkeljeve të hapësirës ajrore greke këtë vit, duke përfshirë 157 fluturime mbi territorin grek.

Por, ky pingpong me akuza mes fqinjësh me armiqësi shekullore ka edhe anën tjetër të medaljes, atë që shërben për konsum të brendshëm. Turqia dhe Greqia do të shkojnë të dyja drejt qendrave të votimit për zgjedhje vendimtare vitin e ardhshëm. Presidenti turk Erdogan po përballet me një sfidë të madhe për qeverisjen e tij 20-vjeçare mes problemeve ekonomike të vendit, inflacionit dhe problemeve të imigracionit. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i zgjedhur në vitin 2019, pësoi humbje të popullaritetit në një farë mase për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, pjesërisht e nxitur nga lufta në Ukrainë apo në lidhje me skandalin e përgjimeve të telefonave të liderit të opozitës .

Siç po dëshmojnë zhvillimet e fundit tashmë, Turqia dhe Greqia nuk mund të bien dakord as se çfarë të diskutojnë mes tyre, prandaj do të duhet një ndërmjetës i cili ka aftësi dhe fuqi për të qenë në gjendje të propozojë diçka me të cilën këto dy vende fqinje mund të bien dakord, po qe për momentin ka pak gjasa që diçka e tillë të ndodhi.