Abdixhiku takon Berishën: Risollëm kujtime historike, me të në rol të parë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka takuar sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berishën, të cilit i ka uruar suksese në zgjedhjet e majit.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se me Sali Berishën janë takuar në Kongresin e EPP-së në Spanjë.
“Shkëmbyem të gjitha urimet për shëndet e punë të mbarë. I urova atij, PD-së, e gjithë shqiptarëve suksese në zgjedhjet demokratike këtë maj, e në të gjitha proceset përpara, siç dhe mora urimet më të mbara për Lidhjen Demokratike”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.
“Risollëm dhe kujtime historike, me të në rol të parë, që kanë definuar një epokë të tërë të popullit shqiptar”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Ndërkohë, Abdixhiku nuk ka reaguar ndaj ftesës së Albin Kurtit, për një takim konsultativ rreth konstituimit të Kuvendit.
Por, kanë qenë nënkryetarët e LDK-së, Lutfi Haziri dhe Hykmete Bajrami që kanë theksuar se partia e tyre nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kreu i LVV-së, Albin Kurti më 1 maj.
Haziri ka deklaruar se LDK-ja i është përgjigjur qartë ftesës që në herën e parë dhe se nuk ka arsye për t’u kthyer në diskutime mbi çështje që tashmë janë të qarta. /Telegrafi/


