Abdixhiku prezanton programin për arsim: Pagë 1,000 euro për mësimdhënësit dhe mësim tërëditor
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar prioritetet e partisë së tij për sektorin e arsimit, duke theksuar se mësimdhënësit janë shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.
Gjatë një takimi me mësimdhënës, Abdixhiku tha se ata mbajnë “barrën më të rëndë të këtij vendi – edukimin e brezave të rinj”, duke shtuar se pavarësisht nënvlerësimit dhe mungesës së mbështetjes nga politika, ata nuk kanë hequr dorë nga misioni i tyre.
“Shkolla nuk është thjesht një ndërtesë, por vendi ku formohet karakteri, dija dhe e ardhmja e Kosovës,” tha Abdixhiku.
Ai prezantoi zotimet kryesore të LDK-së për arsimin, të cilat, sipas tij, janë të qarta dhe të panegociueshme.
Në mesin e tyre është rritja e pagës për mësimdhënësit në 1,000 euro, ndërtimi i 80 çerdheve të reja në gjithë vendin, si dhe vendosja e mësimit tërëditor në shkolla.
Sipas Abdixhikut, modeli i mësimit tërëditor do të përfshijë shujta të ngrohta, aktivitete sportive dhe qëndrimin e nxënësve deri në tetë orë në shkollë, me synim rritjen e cilësisë, barazisë dhe zhvillimit të plotë të nxënësve.
Po ashtu, ai paralajmëroi futjen e kodimit dhe inteligjencës artificiale si lëndë mësimore, duke theksuar se Kosova duhet të përgatitet për sfidat e së ardhmes dhe jo për të kaluarën.
“Arsimi është themeli dhe aty fillon çdo ndryshim i vërtetë,” tha Abdixhiku, duke shtuar se LDK-ja, sipas tij, është e vetmja forcë politike që e ka arsimin prioritet, duke u bazuar në përvoja konkrete nga Prishtina si model për gjithë Kosovën.


