Abdixhiku pas takimit: Ato që na i tha Kurti sot, i kemi dëgjuar nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti, ku ky i fundit i informoi liderët opozitarë për takimin e fundit që pati në Bruksel lidhur me dialogun me Serbinë.
Para mediave, Abdixhiku tha se partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar lidhur me takimin e 18 gushtit, ndërsa shtoi se ftesa nga kryeministri ishte e vonshme.
“Konsideruam që kjo ftesë është e vonshme pasi vjen dy javë pas takimit në Bruksel. Në ndërkohë, partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar në masë më të thellë se sa që nga informoi sot kryeministri Kurti. Ai bëri sot një prezantim të gjashtë pikave të cilat tashmë janë të njohura për publikun”, deklaroi i pari i LDK-së.
Ai tutje shprehu qëndrimin e LDK-së lidhur me dialogun, duke thënë se kryeministri Kurti duhet të tregohet i guximshëm dhe të shkojë në dialog për të kërkuar marrëveshje finale me njohjen reciproke në thelb të saj.
“Ne besojmë që dialogimi i copëzuar është në interes vetëm të Serbisë. Prandaj, sa më shumë që Kosova merret me marrëveshje teknike, ushqehen interesat e Serbisë. I kërkojmë kryeministrit që të jetë i guximshëm dhe të shkojë në dialog për të kërkuar marrëveshje finale me njohje reciproke ne thelb të saj, me respektim të Kushtetutës dhe respektim të integritetit territorial në thelb të saj. Është në dorë të kryeministrit që të bëjë këtë që është obligim i tij”.
“Marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës janë obligime kushtetuese për çdo qeveri, qeveritë vinë e shkojnë, marrëveshjet mbesin për vendin, po ashtu besojmë që ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese mbi asociacionin që duhet respektuar dhe duhet të jetë bazë e organizimeve të ardhshme që me këtë rast në Kosovë duhet t’i impelemtojmë. Ky është qëndrimi jonë, nuk është i ndryshueshëm, por është një platformë e dorëzuar tash e një vit te kryeministri në zyrën e tij. Qëndrojmë në ato bindje. Besojmë që respektimi i rendit kushtetues, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është jetësor, integriteti territorial dhe njohja reciproke, këto tri parimeve ne u japim mbështetje të plotë”, ka thënë kreu i LDK-së.
Po ashtu, tha se Kurtit i kanë kërkuar që të raportojë në Kuvend të Kosovës para se të shkojë në dialog dhe pasi që të kthehet.
“Dhe ai u pajtua për këtë. Përtej kësaj, presim që procesi i dialogut të marrë hapa të rinj zhvillimor dhe të sigurojë njohje sa më parë", theksoi Abdixhiku, duke shtuar se kjo duhet të bëhet në rrugëtim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tij duhet shfrytëzuar momentumi politik me administratën e presidentit Joe Biden. /Telegrafi/


