Please enter at least 3 characters.

A jeni gati për Superkupë?

2016/01/f.0919120006770_210.jpg

Pas një pauze të gjatë, ethet e basketbollit rikthehen sërish, dhe ndoshta më të forta se kurrë më parë. Nuk mbahet mend kur është folur kaq shumë për basketbollin, e sidomos për Sigal Prishtinën e Pejën, të cilat këtë vit do t’i thyejnë barrierat dhe do të luajnë edhe në Ligën Ballkanike.

Prishtina, si gjithmonë një qytet që njihet për adhurues të mëdhenj të basketbollit, është përgatitur maksimalisht për këtë sfidë. Plisat, krenaria e këtij qyteti, janë mobilizuar që kësaj ndeshje t’i japin hijeshinë e duhur me atmosferë impozante në palestër.

Ndërsa, në anën tjetër, Peja e cila vitin e kaluar dominoi në basketbollin vendor me lojë spektakolare dhe me basketbollistë tejet cilësorë, synon ta fitojë Superkupën të cilën ua vodhi nga duart Sigal Prishtina stinorin e kaluar. Teksa, tifozët pejanë ‘Shqiponjat’ që për momentin janë tifozeria më e flaktë dhe më e organizuar në vend, do të udhëtojnë së bashku me klubin në Prishtinë për t’iu dhënë përkrahje lojtarëve dhe me shpresën që në fund të kthehen duke festuar.

Të dyja skuadrat kanë bërë ndryshime rrënjësore në përbërjet e tyre. Pas largimit të Rudolf Jugos me të cilin shijuan sukses të madh, pejanët kanë sjellë një trajner të njohur kroat, Daniel Lutz, i cili edicionin e shkuar fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kroacisë me Cibonën e Zagrebit.

Përveç trajnerit, Peja ka bërë ndryshime edhe te lojtarët. Pejës i janë larguar tre lojtarët kyç të edicionit të kaluar, Dardan Berisha, Blerim Mazreku dhe Alban Veseli, që të tre i janë bashkuar Sigal Prishtinës, teksa i riu Artin Gashi shkoi te Trepça. Mirëpo, largimin e tyre Peja e kompensoi shpejtë me transferimin e lojtarëve të fortë, si Drilon Hajrizi, Endrit Hysenagolli, Mirza Ahmetbasic, Ersid Luca, Frederick House, Vedran Morovic dhe George Odufuwa.

Dhe, mos të harrojmë se Peja ende e ka ‘snajperistin’ e Kosovës, Samir Shaptahoviq, i cili vitin e kaluar e shkatërroi Sigal Prishtinën, e bashkë me të dhe Gerti Shimën, i cili është një përbindësh i vërtetë në trapez.

Tani të kthehemi te Sigal Prishtina, e cila këtë vit është përforcuar më së shumti nga të gjitha skuadrat kosovare, teksa ka bërë edhe investime të mëdha në palestër, që tregon se sa seriozisht e kanë marrë inkuadrimin në Ligën Ballkanike.

Fillimisht, edhe bardhekaltërit e kanë ndërruar trajnerin. Në vend të Ahmet Kandemirit i cili iu bashkua Besiktasit, ata sjellën të riun Ceyhun Cabadak, i cili nuk ka përvojë të madhe, por njihet si punëtor shumë i madh dhe që e nxjerrë maksimumin nga lojtarët e tij. A do të dëshmohet në basketbollin kosovar, kjo mbetet të shihet së shpejti...

Sa i përket lojtarëve, bardhekaltërit i kanë bërë bashkë më një vend dy basketbollistët më të mirë për momentin, Dardan Berishën dhe Kendrick Jones, të cilët edicionin e kaluar ishin të pandalshëm, dhe jo vetëm kaq. Përveç këtyre dyve, te Sigal Prishtina janë transferuar edhe Tay Waller, Aurimas Kieza, K’Zell Wesson, Blerim Mazreku, Alban Veseli, Muhamet Hasani dhe Kreshnik Juniku, teksa është larguar Hekuran Binxhija dhe Fahri Breca, i cili është afër për t’iu bashkuar Bashkimit.

Të gjithë këta lojtarë përveç Dardanit dhe K’Zell Wesson i cili arriti para disa ditëve, kanë treguar lojë të mirë dhe formë të lartë në ndeshjet miqësore me Besiktasin, ku në të dy ndeshjet prishtinasit ishin në epërsi gjatë tërë lojës, por e humbnin ndeshjen në çerekun e katërt.
Mirëpo, Dardani sonte është i gatshëm për lojë dhe do të debutojë pikërisht kundër skuadrës me të cilën është rritur. A do të ndikojnë emocionet në performancën e tij apo jo kjo mbetet të shihet, por të gjithë e dimë se ai është një basketbollist profesionist dhe do të japë maksimumin nga vetja.

Superkupa për tri vitet e ardhshme do të quhet “Salamander Superkupa” pas marrëveshjes së sponsorimit që ka arritur FBK me Salamander, dhe për herë të parë pas dhjetë vitesh do të organizohet nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Në këtë ndeshje do të jenë të pranishëm edhe zyrtarët e Ballkan Ligës, të cilët kanë ardhur për t’u bindur edhe njëherë se a e meritojnë këto dy skuadra dhe ky shtet pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike, dhe për këtë flitet se është mbajtur edhe një mbledhje mes kryesive të klube dhe të tifozerive që të mos bëjnë ndonjë gjest të pahijshëm gjatë ndeshjes.

Sido që të jetë, një gjë është e sigurt, sonte do të kemi një super-sfidë të basketbollit për ta parë dhe shijuar. Le të fitojë më i miri, le të fitojë basketbolli kosovar.

Çfarë mendoni ju shikues të nderuar, kush do ta fitojë ‘Salamander Superkupën e Kosovës’ këtë edicion? Shprehuni në hapësirën për komente... /Telegrafi/