Please enter at least 3 characters.

29 vjet nga rënia e tre heronjve, krerët e shtetit me homazhe te përmendorja e Zahir Pajazitit

Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, përfaqësues të subjekteve politike, të komunës së Prishtinës, veteranë e familjarë kanë bërë homazhe pranë përmendores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, në përvjetorin e rënies së tij dhe bashkëluftëtarëve Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të tjerë institucionalë, kryetari i AAK-së, familjarë e veteranë theksuan rëndësinë e sakrificës së tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi 31 janarin si një nga ditët më me peshë dhe më frymëzuese në historinë e Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se rënia e tre heronjve i dha kumtin lirisë dhe frymëzoi një popull të tërë të luftojë kundër mohimit shekullor.

“Në këtë ditë ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, që të tre heronj të Republikës së Kosovës, duke dhënë kështu kumtin e lirisë dhe duke inspiruar një popull të tërë që të luftojë për lirinë që na ishte mohuar me shekuj. Natyrisht që kjo sakrificë e tyre ka vënë themelet e forta të Republikës së Kosovës, themele në këto që edhe sot qëndron shteti ynë sovran, i pavarur, i cili u ndërtua me gjak, i cili u ndërtua me mund dhe me shumë sakrificë...“, tha ajo, raporton KP.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, e përshkroi Zahir Pajazitin si një luftëtar të paepur dhe një guerilas me aksione tejet të suksesshme.

Sipas tij, forcat serbe i vranë më 31 janar 1997, sepse ishin të tmerruar nga veprimtaria e tyre.

“Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, saqë vetëm kurthi, pusia, prita mund t'ju jepte shans forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin. Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu qysh nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti...", tha ai.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i cilësoi tre heronjtë si figura themeltare të rezistencës së armatosur dhe të UÇK-së. Ajo theksoi se Zahir Pajaziti ishte një nga ideatorët dhe organizatorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.