Please enter at least 3 characters.

195 km/h në zonën 60 km/h – Policia ndëshkon shoferët në Rajonin e Gjakovës

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj tre kundërvajtësve gjatë fundjavës në rajonin e Gjakovës, në kuadër të planit operativ “Vera 2026”, me qëllim rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.

Sipas njoftimit të Policisë, në rastin e parë, dy drejtues automjetesh janë ndaluar në Gjakovë duke zhvilluar gara shpejtësie.

Ndaj drejtuesit me patentë shofer kosovar është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative, si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 12 muaj në tërë territorin e Kosovës.

Ndërsa, drejtuesit me patentë shofer të huaj i është shqiptuar gjobë prej 1,000 eurosh, pasi me kërkesën e tij gjoba është dyfishuar.

Në rastin e dytë, në fshatin Llazicë të Malishevës, policia ka ndaluar një shofer i cili po drejtonte automjetin me shpejtësi prej 195 km/h, në një zonë ku shpejtësia e lejuar është 60 km/h.


Për këtë kundërvajtje, drejtuesi është gjobitur me 500 euro, ndërsa i është shqiptuar edhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për gjashtë muaj në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe identifikimin e kundërvajtjeve të rrezikshme në trafik.


Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në komunikacion. /Telegrafi/