Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka vizituar sot komunitetin Protestant Ungjillor të Gjakovës.
Sipas njoftimit nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, në mjediset e Bashkësisë së Zotit Jezus-Evangjeliste në Gjakovë, ambasadori Delawie është pritur nga pastorët Nikë Krasniqi dhe Jeton Sokoli si dhe misionarja Jacqueline Meihsner.
Nikoqirët i treguan ambasadorit Delawie objektin kishtar në Gjakovë, i cili ishte ndërtuar me ndihmën vetanake të kishës protestante.
Më pas pastorët e njoftuan ambasadorinme shtrirjen dhe organizimin e komunitetit protestant në komunën e Gjakovës dhe bashkëpunimin e mirë që kanë me bashkësitë e tjera fetare në këtë komunë.
Pastorët i shprehën ambasadorit shpresën e tyre që çështja e varrezave për komunitetin Protestant në këtë komunë të shoh dritën.
Ata gjithashtu u shprehën optimist që udhëheqja komunale të veprojë në mënyrë jo diskriminuese edhe sa i përket urimeve për festa dhe trajtimit të barabartë me rastin e përfshirjes së përfaqësuesve të tyre në jetën e Komunës.
Pastorët thanë se shpresojnë që barazia të reflektohet edhe në dokumentet zyrtare të Komunë, siç janë faqja zyrtare dhe shenjat e qytetit që të tregojnë kah kishat protestante.
Nikoqirët i falënderuan mysafirin për interesimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë në funksion të respektimit të lirisë fetare në vendin tonë! /Telegrafi/