Site icon Telegrafi

Aliu: Magjistralja Prishtinë-Pejë ka probleme të mëdha me shpronësime

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se projekti aktual i magjistrales Prishtinë-Pejë ka probleme të mëdha në shpronësime.

Aliu gjatë një diskutimi në Kuvendin e Kosovës theksoi se janë në diskutim për rishikim të projektit.

“Për magjistralen për Pejë, siç e dini projekti aktual me BERZH-in, ka pasur probleme të mëdha në shpronësime dhe me shumëfishim të çmimit. Jemi në rishikim të projektit dhe do të fillojmë me projektin e ri i cili do të ketë trase tjetër. Ose do të ketë zgjerim të rrugës ekzistuese ose do të jetë trase tjetër, më e mundshmja është se do të janë te dyja”, tha Aliu, shkruan Telegrafi.

Ai ka folur edhe për Autostradën e Dukagjinit, ku është shprehur se nuk ka pasur studim të mirëfilltë të fizibilitetit dhe se ekziston vetëm projekti me shpronësimet.

Lexo po ashtu Zvarritja 10 vjeçare e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, qytetarët thonë se kjo është e papranueshme

“Në lidhje me Autostradën e Dukagjinit, kjo nuk ka pas as studim të mirëfilltë të fizibilitetit, pra ka pasur vetëm projekt dhe shpronësime. Në pjesën ku janë projektet jemi duke vazhduar me punimet, përfshirë edhe qarkoret e qytetit. Për sa i përket autostradës duhet të fillohet me një projekt të fizibilitetit e të shihet a është fizibël apo jo. Marrëveshja e më hershme që ka qenë Pejë-Rozhajë do të thellohet, ku do ta bëjmë lidhjen e Plavës me Deçanin”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Vazhdon ngecja e punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë, mbesin pa ujë të pijshëm banorët e disa fshatrave

Ndërsa, për pjesën e mbetur të magjistrales Prishtinë-Podujevë, Aliu tha se pjesa nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër.

“Pjesa e mbetur prej Prishtinës deri në Podujevë, pra nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër dhe jemi në planifikim që ta ndahet në dy llote, e cila do të bëhet e tëra ose për arsye financiare të fillohet me llotin e parë, e pastaj me të dytin. Pjesa e hyrjeve duhet të vazhdoj duke i vazhduar edhe shpronësimet ashtu siç janë”, përfundoi Aliu. /Telegrafi/

Exit mobile version