Albi Qamili në PodGo: Këtë mandat në Tetovë do të realizohen shumë projekte të mëdha infrastrukturore

Zv.kryetari i Tetovës Albi Qamili, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për pozitën e tij të re në Komunën e Tetovës, mandatin e ri, si dhe ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë.
Ai tha se që i ri është angazhuar në çështjet shoqërore, ndërsa kujtoi edhe momentet kur është arrestuar nga policia. Qamili tha se në aspektin juridik ka ekzistuar mundësia që këshilltarët komunal të emërohen zv.kryetar të komunës.
"Në aspektin juridik ka ekzistuar mundësia që njëri nga këshilltarët komunal të emërohet zv.kryetar, i cili do të ketë kompetenca të deleguara në rast të mungesë së kryetarit. Në aspektin praktik jam dora e djathtë e tij në punët e përditshme. E dini vëllimin e punëve të kryetarit Bilall Kasami dhe ai ka vlerësuar që të ketë një dorë të djathtë".
"Që i ri kam qenë i prirur për çështjet shoqërore. Vitet më të mira që i kujtoj dhe që më kanë formësuar më shumë si njeri janë ato vitet e opozitarizmit. Ju e dini se gjithë atë aktivitet që e kemi bërë, gjithë ato aksione guerile, bashkë me shokë shpesh kemi përfunduar në stacione policore, por kjo na ka bërë të vazhdojmë edhe më fortë. Madje i falënderoj ata për ato më kanë ndodhur", tha Qamili.
Sa i përket mandatit të ri të Bilall Kasamit në Komunën e Tetovës, Qamili tha se do të realizohen shumë projekte.
"Mandati i parë ishte për ta stabilizuar Tetovën nga ajo katrahurë që e la udhëheqësia e kaluar. Në katër vitet e ardhshme në Tetovë do të realizohen shumë projekte të mëdha infrastrukturore. Po ndërtohen dy shkolla të reja të mesme, që asnjëherë nuk ka ndodhur. Gjimnazi 7 Marsi dhe Shkolla Tekstile do të bëhen me objekte të reja. Prioritet është që të përfundohet stadiumi i qytetit, ku përfundimisht Shkëndija lojërat evropiane t'i luajë në stadiumin e qytetit. Po ndërtohen pishina të reja, ndërtohen salla sportive. Komuna e Tetovës është e vetmja që ka asfaltuar më shumë rrugë pas zgjedhjeve, sesa para zgjedhjeve. Tetova do të jetë me problemet bazë të rregulluara", tha Qamili.
Ai foli edhe për Komisionin për riemërtimin e rrugëve në Tetovë, tek i cili u zgjodh kryetar, ndërsa tha se emrat e rinj të rrugëve të Tetovës do të pasqyrojnë realitetin dhe identitetin e qytetit.
"Rrugët e Tetovës mbi të gjitha të pasqyrojnë realitetin e Tetovës, sepse emërtimet aktuale nuk pasqyrojnë asnjë realitet të Tetovës. Kjo vlen edhe për komunitetin shqiptar, por edhe për atë maqedonas. Kemi në Tetovë rrugë të quajtur “Lenin”, shkollë të quajtur “Nikolla Shtejn”, që nuk përfaqësojnë askënd”, tha Albi Qamili./Telegrafi/














































