Site icon Telegrafi

Me aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, “pastrohen” diku edhe 25 mijë euro (Video)

Fiks 29, 878 euro u dhanë në emër të pastrimit të Kosovës. Por, rreth 25 mijë euro diku rrugës u avulluan, pasi organizata për të cilën Ministria e Mjedisit raportoi para auditorit se i kishte ndarë mjetet, e mohon këtë, raporton KTV.

Madje, koordinatori i “Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, thotë të jetë shokuar kur e ka parë raportin e auditorit, pasi në realitet iniciativa e tij asnjëherë asnjë cent nuk e mori nga Ministria e Mjedisit.

Krejt çka mori nga Ministria ishte materiali shpenzues, vlera e të cilit nuk kalon shifrën e pesëmijë eurove. Këtë e vërteton edhe ky vendim i majit të kaluar, që e mban vulën e ministrit Agani.

Shuma në të cilën është mbështetur kjo organizatë saktësohet 4,860 euro. Paratë janë marrë nga kategoria e Mallrave dhe Shërbimeve.

Madje, Hasanaj thotë se edhe po të donte ministria ta mbështeste me të holla, nuk do të mund ta bënte këtë, pasi organizata e tij vetëm tani është regjistruar si OJQ dhe nuk ka pasur asnjëherë xhirollogari.

Kohavisioni ka kontaktuar zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, por ata nuk kanë dashur të flasin, me arsyetimin se nuk mund të flasin derisa të sqarohet çështja e ministrit Agani, i liruar nga detyra për shkak të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Megjithëse nëpërmjet telefonit, zyrtarët kanë thënë se edhe ata nuk e kanë të qartë se si u përfshi shifra prej 29,878 euro në raportin e auditimit, pasi në zyrën e tyre kanë kontratën e vetme me “Ta pastrojmë Kosovën”, me më pak se pesëmijë euro.

Me pas, zyrtarët kanë ndryshuar deklaratën, duke thënë se sekretari i ministrisë u ka thënë se 30 mijë eurot mund të jenë nënshkruar nga ish-ministri Dardan Gashi, kjo pasi sipas tyre, raporti i referohet një ish-ministri.

Por, raporti i Auditorit e thotë qartë se vendimi u mor me urdhër të ministrit.

Sidoqoftë, Kohavisioni i ka shkruar edhe zyrës së Auditorit nëse ka gjasë që në raportin e vitit 2015 ka mundur të përfshihet një vendim i vitit paraprak, por për këtë nuk ka marrë përgjigje.

Exit mobile version