Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj seleksionimit të medieve gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së AKR-së me koalicionin PAN.

“AGK shpreh indinjatë të thellë me rastin e mos-ftimit të mediave gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit PAN - AKR. AGK konsideron se në këtë aktivitet do të duhej të ftoheshin të gjitha mediat pa përjashtim.


Veprimi i sotëm i koalicionit PAN - AKR ka për qëllim ikjen e personaliteteve të caktuara politike nga mediat dhe gazetarët. Po ashtu me këtë veprim, koalicioni në fjalë ka pasur për qëllim që diktojë raportimin e mediave për këtë marrëveshje që paraqet interes të jashtëzakonshëm për opinionin publik”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK ka kërkuar angazhim më të madh të subjekteve politike, sidomos atyre që mëtojnë ardhjen në pushtet që të jenë të gatshme të ballafaqohen dhe bashkëpunojnë me gazetarët. /Telegrafi/