Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka rikthyer sot në vëmendjen në çështjen e njehsorëve elektrik, ku u tha se po llogarisin kohën gabimisht.

Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogaritë.


Ai thotë se nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët e tyre kanë bërë, 87 për qind rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht.


"Kur shteti dështon, padrejtësia hyn në çdo shtëpi. Ajo që u prezantua dje në konferencë nga Departamenti ynë për Energji, përmes anëtarit tonë Visar Azemi, është alarmante. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë jo sepse konsumojnë më shumë, por sepse sistemi i matjes po keqllogaritë.

Nga verifikimi i 884 njehsorëve që aktivistët tanë kanë bërë, 87% rezultojnë të llogarisin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë orëve të natës. Kjo nuk është më rastësi. Është dështim sistemik", tha Abdixhiku.

Ai tutje thekson se LDK i fton qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre. Ne zotohemi se këtë çështje do ta ndjekim në të gjitha nivelet institucionale, deri në vendosjen e drejtësisë për çdo qytetar.

"LDK kërkon hetim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale, kompensim për qytetarët dhe ndaljen e çdo rritjeje të tarifave deri në zbardhjen e plotë të gjendjes reale", tha Abdixhiku.

Lidhur me këtë kanë reaguar nga KEDS-i.

KEDS thekson se matësit e energjisë elektrike janë të besueshëm dhe të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare.

“Të gjithë matësit e energjisë elektrike (njehsorët) kalibrohen dhe sinkronizohen me kohën zyrtare në momentin e instalimit të tyre, duke siguruar funksionim me saktësi maksimale.

Sistemet e matjes janë të dizajnuara në mënyrë që çdo konsumator të përfitojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga aplikimi i tarifave, përfshirë tarifat e ulëta, sipas përcaktimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Sinkronizimi i orës në njehsorë është realizuar me një nivel të lartë precizioni, duke garantuar që të gjithë konsumatorët kalojnë në tarifën e ulët në të njëjtën kohë në përputhje të plotë me rregullat dhe standardet në fuqi”, thuhet në reagim. /Telegrafi/