Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shpërndarë një mesazh me rastin e 17-vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke nderuar themelet e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.

Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e Kushtetutës, duke e cilësuar atë si dokumentin që mishëron aspiratat historike të qytetarëve të Kosovës për liri, barazi dhe drejtësi.


“Sot, në Ditën e Kushtetutës, ne nderojmë themelet e shtetit tonë të pavarur dhe demokratik – dokumentin që mishëron aspiratat historike të qytetarëve tanë për liri, barazi dhe drejtësi”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka theksuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por gjithashtu udhërrëfyesi i shtetndërtimit dhe forcimit të sundimit të ligjit, si dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por është udhërrëfyesi ynë në rrugën e shtetndërtimit, në përforcimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Është zotimi ynë kolektiv për një të ardhme më të mirë, për një shtet të drejtë e të barabartë për të gjithë. Në këtë përvjetor, ne kujtojmë me respekt të thellë sakrificën dhe vendosmërinë e popullit tonë që i hapi rrugë krijimit të këtij dokumenti historik”, thuhet në mesazhin e kreut të LDK-së.

Megjithatë, ai ka shprehur shqetësimin për shkeljet e Kushtetutës dhe sulmet e drejtpërdrejta ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke i konsideruar këto veprime si një kërcënim për rendin demokratik dhe besimin e qytetarëve në drejtësi.

Abdixhiku ka theksuar se mbrojtja e Kushtetutës është përgjegjësi e secilit qytetar që beson në një Kosovë të drejtë dhe demokratike.

“Shkeljet e Kushtetutës të përsëritura dhe sulmet e drejtpërdrejta ndaj Gjykatës Kushtetuese janë sinjal i qartë i praktikave që e rrënojnë rendin demokratik dhe e largojnë shtetin nga parimet mbi të cilat është ndërtuar. Kjo nuk është thjesht çështje ligjore – është plagë për demokracinë tonë dhe për besimin e qytetarëve në drejtësi. Nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë më këtë. Mbrojtja e Kushtetutës është përgjegjësi e secilit prej nesh që beson në një Kosovë të drejtë, të barabartë dhe demokratike”, u shpreh Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së ka ftuar qytetarët që Ditën e Kushtetutës ta shohin jo vetëm si një përkujtim, por edhe si një thirrje të fortë për të ruajtur dhe mbrojtur vlerat themelore të shtetit.

Ai ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës, duke theksuar se Kosova duhet të vazhdojë të ndërtojë një shtet të fortë, sovran dhe të drejtë për të gjithë. /Telegrafi/