Në një konferencë për media sekretari i AAK-së, Burim Ramadani, vlerësoi se me përjashtimin e Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave më së shumti janë dëmtuar qytetarët e Kosovës, për çka fajësoi ekzekutivin e vendit që ka dështuar në këtë proces dhe fatkeqësisht për qytetarët e Kosovës, dështimi i një qeverie nuk është kriter për Bashkimin Evropian që t’i fusë ata në liberalizimin e vizave.

“Me qeverisjen e ardhshme të AAK-së, çështja e punës në liberalizimin e vizave do të jetë prioritet i arsyeshëm i qeverisë dhe përkushtimi do të jetë i pakontestueshëm dhe ne jemi të sigurt në bazë të analizave që kemi bërë deri më tash se brenda periudhës së parë të qeverisë së ardhshme të AAK-së qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin në mënyrë të lirë, pa viza në vendet e Bashkimit Evropian”, është shprehur Ramadani.

Ndonëse janë bërë gati tre muaj që skandali i vjedhjes në dhomën e provave, policia ende nuk ka ndriçuar rrethanat dhe të dyshuarit e mundshëm të përfshirë në këtë rast. Kjo, sipas sekretarit të përgjithshëm të AAK-së, është dëshmi se qeveria e vendit është e interesuar që të heshtë rastin, andaj pret që në lidhje me rastin të merret EULEX-i.

“Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar për zbardhjen e këtij rasti, së dyti Qeveria e Kosovës dëshiron të heshtë rastin dhe jemi dëshmitarë se ky rast më as nuk përmendet në agjendën e Qeverisë, së treti puna e të ashtuquajturës “Task Forcës” nuk ka dhënë ndonjë rezultat, sepse ka qenë e ndikuar nga drejtime të ndryshme dhe ka qenë e anshme, nuk ka qenë e paanshme, nuk ka qenë profesionale. Policia e Kosovës vlerësojmë se ka pësuar një goditje jashtëzakonisht të rëndë, sidomos me imazhin dhe vetëbesimin e saj. Me këtë rast është treguar se në këtë Qeveri të Kosovës nuk ekziston vlera e përgjegjësisë politike, morale dhe profesionale në institucionet që udhëheqin dhe së gjashti që ka qenë kërkesë edhe e AAK-së, tashme do të duhet të shohim veprimin e EULEX-it për të marrë këtë rast”, ka thënë Ramadani. /Kosovapress/RTK/Telegrafi/