Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në takim sot subjektet politike për t’u konsultuar rreth caktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore

Takimi është planifikuar të mbahet sot në orën 14:00.


E nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në takim.

Ata si arsye e refuzimit të pjesëmarrjes në këtë takim kanë përmendur propozimin e tyre prej 4 pikash, ku kanë deklaruar “se derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, ne nuk do të jemi pjesë e nismave që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend”

Njoftimi i plotë:Përgjigje për takimin e thirrur nga Presidentja për zgjedhjet në veri AAK ka dalë më një propozim prej 4 pikash, për të rikthyer situatën në normalitet, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën, e të cilat janë: 1. Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale. 2. Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në insitucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë. 3. Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar. 4. Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi. Për këtë qëllim e kemi thirrur në interpelancë edhe kryeministrin e vendit. Dhe derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, ne nuk do të jemi pjesë e nismave, që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend. /Telegrafi/