Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka formuar kabinetin e ri drejtues, i cili përbëhet nga nënkryetarja dhe drejtorët e drejtorive komunale që do të udhëheqin sektorët kyç të administratës komunale.

Sipas emërimeve të caktuara nga Muharremaj, bëhet e ditur se AAK në Suharekë ka bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).


Sipas njoftimit të Komunës së Suharekës, kabineti i ri synon rritjen e efikasitetit institucional, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.

Përbërja e kabinetit të ri është kjo: Arta Gashi është emëruar nënkryetare e Komunës, Kymete Bajraktari drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Gent Gashi drejtor i Inspekcionit, Erza Ramadani drejtoreshë e Ekonomisë, Buxhetit dhe Financave, Liridon Jollxhiu (PDK) drejtor i Administratës, Armend Krasniqi (PDK) drejtor i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë, Remzi Bajselmani drejtor i Arsimit, Amir Hoxha (PDK) drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Donjete Kabashi drejtoreshë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Mërgatës, Mensur Selimaj drejtor për Shërbime Pronësore, Gjeodezi dhe Kadastër, si dhe Visar Kuqi drejtor i Urbanizmit, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit.

Kryetari Muharremaj u ka uruar suksese anëtarëve të kabinetit të ri, duke theksuar se puna e tyre do të bazohet në profesionalizëm, transparencë dhe përkushtim ndaj interesit publik. /Telegrafi/