LAJMI I FUNDIT:

A ka institucione paralele në veri të Kosovës?

Para disa ditësh kryetari i Serbisë, z.Tadiq deklaroi, në një debat, që nuk ka institucione paralele në veri të Kosovës, se aty institucionet janë të zgjedhura nga qytetarët. Në fakt, ky qëndrim është bërë tashmë zyrtar dhe përsëritet shpesh nga liderët e Serbisë. Kjo nuk është vetëm deklaratë e parëndësishme për konsum të brendshëm, por diçka që mund të ketë pasoja për Kosovën. Dhe fatkeqësisht një deklaratë e tillë nuk është kundërshtuar nga zyrtarë të Kosovës.

Me deklarata të tilla Tadiq dhe zyrtarët tjerë serbë, arrijnë dy gjëra: e para, të krijojnë përshtypjen se në veri të gjitha institucionet paralele të Serbisë janë legjitime, dhe e dyta, të krijojnë përshtypjen se nuk ka fare institucione paralele të Serbisë në Kosovë. Përshtypja e parë është e gabueshme, se përveç institucioneve komunale që dalin nga zgjedhjet komunale në veri të organizuara nga Serbia janë mbajtur në shkelje të rezolutës 1244, aty gjenden edhe institucione tjera të Serbisë si policia, për shembull. Mirëpo, nëse flasim vetëm për komunat në veri, atëherë Tadiq ka të drejtë, ato nuk janë paralele, sepse në veri nuk ka komuna të Republikës së Kosovës. Domethënë, ka vetëm komuna të Republikës së Serbisë. Edhe pse janë mbajtur zgjedhje të organizuara nga Republika e Kosovës në veri, dhe disa qindra votues kanë votuar, dhe janë zgjedhur kuvende komunale e kryetarë komunash, këta qytetarë si duket janë injoruar fare nga qeveria e Kosovës. Edhe pse një qytetar boshnjak-kosovar, Shefko Sallkoviq, që ishte punonjës i KQZ-së së Kosovës u vra, pikërisht për shkak se punonte për KQZ të Kosovës, vrasja e tij, si dhe plagosja e një zyrtari tjetër, poashtu, u harrua dhe u injorua. Sakrificat e përditshme të qytetarëve në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë dhe fshatrat tjera gjithashtu injorohen.


Sallkoviq njëherësh ishte përfaqësues i pesë fshatrave boshnjake të Leposaviqit, të gatshme për t’u integruar në sistemin kosovar, Rvatska, Muminoviq, Vërba, Beberishte dhe Kalin. Të paktën këto fshatra, së bashku me fshatrat shqiptare të Bistricës, Cerajës dhe Koshutovës presin shërbime nga Republika e Kosovës. E njëjta vlen edhe për fshatrat Zhazhë, Boletin e Lipë në Komunën e Zveçanit dhe për fshatin Çabër në Zubin Potok. Lind pyetja, pse qeveria nuk ka konstituuar komunat e dala nga zgjedhjet komunale 2009? Tash kur banoret e këtyre fshatrave e kanë gjetur veten plotësisht të izoluar nga barrikadat, pse nuk është bërë asgjë për të zbutur izolimin e tyre? A nuk ka mundur, për shembull, komuna e Leposaviqit e Republikës së Kosovës, të ofrojë shërbime ku do të përfshihej asfaltimi i rrugës që i lidh fshatrat Bistricë, Cerajë e Koshutovë, përmes maleve të Shalës, me fshatin Maxherë dhe përmes saj me Mitrovicën? Ose, a nuk mund të krijohet një komunë që përfshinë pesë fshatrat boshnjake në Leposaviq, që do të ofronte siguri më të madhe për qytetarët e vet? Si duket, qeveria e Kosovës është pajtuar që të mos ketë institucione të Kosovës në veri, dhe që komunat e Republikës së Serbisë të mos jenë paralele.

Përshtypja e dytë është gjithashtu e gabuar, sepse, siç dihet, Serbia mban institucione paralele pothuajse në të gjitha zonat e banuara me serbë në Kosovë. Në fakt, çështja e vazhdimit të funksionimit të komunave paralele, ishte një nga çështjet që u theksua në një raport të IPOL-it (Institutit Ballkanik të Politikave) mbi krijimin e komunave të reja me shumicë serbe. Një nga mësimet kryesore të këtij raporti është se krijimi i komunave të reja – si në Graçanicë, Kllokot-Vërbovc, Ranillug, Partesh dhe zgjerimi i komunës së Novobërdës nuk nënkupton mbylljen e strukturave paralele, edhe pse kjo është pretenduar nga qeveria e Kosovës. Raporti përmban konkludime dhe rekomandime që janë relevante sidomos kur Kosova ballafaqohet me çështjen e integrimit të pjesëve tjera të saj të banuara me serbë në veri. Një përmbledhje e pikave kryesore të raportit lidhje me strukturat paralele dhe relevanca e tyre për veriun është në vijim.

(Në nëntor të vitit 2009, u mbajtën zgjedhjet lokale në mbarë Kosovën, duke përfshirë këtu edhe komunat e reja: Graçanicë, Kllokot/Vërbovc dhe Ranillug. Në komunën e Parteshit zgjedhjet u mbajtën në qershor 2010, ndërsa për pjesën veriore të Mitrovicës ende nuk është përcaktuar një datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.)

“Transferimi i kompetencave është i komplikuar në disa zona nga ekzistenca e strukturave paralele. Në fushën e arsimit, për shembull, komunat e reja janë duke punuar për formalizimin e punësimit të mësuesve, të cilët ishin paguar më parë pa kontratë/marrëveshje zyrtare të punësimit nga Prishtina. Gjithashtu në këtë linjë, do të jetë e vështirë për t’i sjellë shkollat në zonat serbe nën autoritetin legjitim të komunave të reja”. Pra, fusha e arsimit dhe shëndetësisë janë më sensitivet dhe aty ende primatin e kanë institucionet paralele.

“Komunat amë janë ende duke kryer funksione të caktuara (lëshimin e dokumenteve zyrtare, mbledhje të caktuara të të ardhurave), për shkak se komunat e reja kanë mungesë të stafit, dhe ata janë në fazën e tranzicionit deri në kapacitetin e tyre për të kryer detyra të tilla. Në rastin e mbledhjes së të ardhurave (p.sh taksa e pronës ), komunat amë kanë bërë grumbullimin deri në kohën kur komunat e reja janë të certifikuara për të marrë përsipër grumbullimin, dhe deri atëherë duhet t’i transferojnë fondet çdo tridhjetë ditë”. Nga kjo kuptojmë se komunat e vjetra, që kanë staf më të madh dhe kapacitet për të kryer funksione, kanë një rol të rëndësishëm. Në këtë kontekst komuna e Mitrovicës mund të kuaj një rol të rëndësishëm në funksionimin e jo vetëm komunës së Mitrovicës veriore, por edhe komunave të Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit. Kjo mund të bëhet përmes bashkëpunimit ndërkomunal ose përmes delegimit të funksioneve nga njëra komunë te tjetra.

“Marrëdhëniet në mes të strukturave paralele dhe homologëve të tyre të rinj ende nuk janë kuptuar plotësisht. Deri tani, duket se ata kanë adoptuar një qasje pa asnjë kontakt zyrtar, edhe pse ata mund të flasin jozyrtarisht. Por kjo nuk duhet të zgjasë gjatë, pasi që dialogu që do të ndikohet nga vullneti politik i Prishtinës dhe Beogradit, duhet të mundësojë një zgjidhje për të mirën e qytetarëve”. Nga kjo kuptohet se çështja e strukturave paralele është më e komplikuar se sa mendohet. Prandaj, edhe shpresa që komunat veriore një ditë papritmas do të pranojnë të integrohen në Republikën e Kosovës është e kotë. Për këtë arsye, qeveria duhet të ofrojë shërbime në veri, për ata qytetarë që janë të gatshëm t’i shfrytëzojnë ato.

(Autori është drejtor i Institutit Ballkanik të Politikave (IPOL). Opinionet janë personale)