25 vjet nga atentati ndaj Fetah Rudit, ish-deputeti: Ky nuk ishte thjesht sulm ndaj një individi, ishte sulm ndaj një ideali

Ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi tha se sot janë bërë 25 vjet nga dita kur jeta e tij mori një drejtim krejt tjetër.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook Rudi ka shkruar se një atentat, një akt i errët dhune politike, e la atë në karrocë për gjithë këto vite.
Por siç tha ai: “Nuk arriti kurrë të më thyejë shpirtin, vullnetin, as besimin tim në rrugën e Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës”.
“Atentati ndaj meje nuk ishte thjesht sulm ndaj një individi, ishte sulm ndaj një ideali, ndaj një rruge që unë besoja me gjithë zemër: rruga e LDK-së, rruga e Presidentit Ibrahim Rugova, rruga e paqes, e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës. Në këtë çerek shekulli, çdo mëngjes ka filluar me një betejë të re. Çdo hap që nuk mund ta hedh vetë, e kam zëvendësuar me forcën e mendjes, me durimin dhe me besimin se njeriu nuk përcaktohet nga kufizimet, por nga qëndrueshmëria e tij”, ka shkruar Rudi. /Telegrafi/







































