Qytetarët e Kosovës sot shënuan 18-vjetorin e themelimit të shtetit, ndërkaq sakrifica e popullit të Kosovës për të arritur deri këtu ka qenë shekullore.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.


“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe me Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.

Deklarata e Pavarësisë u miratua në mënyrë unanime nga 109 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.

E në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, institucionet organizuan një mori aktivitetesh.

17/02/2026 13:37- Osmani: Kosova sot më e fortë se kurrë dhe gati për NATO

Kosovës dhe Policisë së Kosovës tha se askush nuk mund ta njollosë luftën e Ushtria Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si luftë të drejtë, çlirimtare dhe të udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet.

Sipas saj, pa kontributin e jashtëzakonshëm të UÇK-së, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realitet.

Presidentja Osmani në vendin kur bëhet parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës tha se pikërisht në rrugën “Luan Haradinaj” përballë monumentit “Newborn” e krah monumentit “Heroinat” po shënohet 18 vjetori i pavarësisë.

Ajo theksoi se Kosova sot është më e fortë se kurrë, më e përgatitur dhe më e vendosur për të ecur përpara pavarësisht sfidave, duke shtuar se vendi po ndërton kapacitetet mbrojtëse me përgjegjësi dhe vizion.

Osmani u shpreh se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës po dëshmojnë çdo ditë profesionalizëm, duke treguar se Kosova është gati për anëtarësim në NATO.

17/02/2026 12:48- 18 vjet shtet, parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë Kosovës


Sot në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, parakaluan trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Qytetarë të shumtë ishin të pranishëm në këtë ceremoni, gjersa vendi shënon 18-vjetorin e pavarësisë.

17/02/2026 12:41- Tahiri: Duhet të realizohet bashkimi kombëtar, hyrja në Këshillin e Evropës e NATO

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, tha se asnjëherë nuk duhet harruar se vlera më e madhe historike e vendit është lufta e UÇK-së që solli lirinë, shpallja e pavarësisë më 2008.

Ajo që duhet realizuar sipas Tahirit, bashkimi kombëtar, pranimi në Këshillin e Evropës, në NATO që njëherë e përgjithmonë Kosova ta përmbyllë një cikël të rëndësishëm të popullit të saj.

“Një popull që ende po sfidohet pse luftoi për lirinë e vet, duke u përballur me gjykime të padrejta, janë katër emra që janë simbol i lirisë, të cilët padrejtësisht janë duke u ballafaquar me një proces me të cilin jemi pa asnjë dyshim që do të shpallen të pafajshëm, për shkak se besojmë në luftën tonë të drejtë për liri dhe në drejtësi ndërkombëtare. Kurrë nuk duhet me harrua se vlera më e madhe historike është vet ajo, lufta e UÇK-së e cila solli lirinë, shpallja dhe njohja e pavarësisë së Kosovës, e ajo që duhet realizuar është konsolidimi i plotë i shtetit tonë në organizmat ndërkombëtarë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, në këshillin e Evropës, në NATO, që njëherë e përgjithmonë Kosova ta përmbyllë një cikël të rëndësishëm të popullit”, tha Tahiri.

17/02/2026 12:26- Hamza: Liria jonë ka emra, mbi sakrifica qëndron Republika jonë sovrane

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka uruar 18 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se historia e lavdishme e Republikës sonë nuk mund të rishkruhet.

Hamza, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, tha se shpallja e pavarësisë ishte fitore e vendosmërisë së një populli që refuzoi të nënshtrohej.

“Pavarësia jonë nuk është gabim historik. Ajo është e drejtë e fituar me shumë heronj, dëshmorë, martirë dhe me përkrahjen e aleatëve tanë. Kosova është realitet i pakthyeshëm. Shteti ynë është projekt i përfunduar i lirisë. Sfida kemi. Beteja kemi. Por, ne do të triumfojmë. Shtetin tonë do ta bëjmë më të fortë. Institucionet më efikase. Drejtësinë më të barabartë. Demokracinë më funksionale. Por mbi të gjitha, do ta ruajmë kujtesën tonë. Sepse një popull që harron sakrificën, rrezikon ta humbasë lirinë. Dhe ne nuk do ta humbasim. Kosova është shtëpia jonë. Është amaneti ynë. Është përgjegjësia jonë. Liria jonë ka emra. Ka varre. Ka histori që nuk shlyhen. Dhe mbi këto sakrifica qëndron Republika jonë: e lirë, sovrane dhe e përjetshme. Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Gëzuar Ditën e Shtetësisë, Kosovë!”, deklaroi kreu i PDK-së.

17/02/2026 12:09- Kurti: Krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë.

Ai tha se ish-krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër një regjimi gjenocidal.

Kurti në seancën solemne të Kuvendi i Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, tha se krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile shqiptare ka kryer Serbia e Slobodan Millosheviqit, duke shtuar se kërcënim për përsëritje të tyre është Serbia e Aleksandar Vuçiqit.

17/02/2026 11:53- Haxhiu: Përpjekjet për të shkëputur luftën e UÇK-së nga konteksti i saj historik rrezikojnë shtrembërimin e së vërtetës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në seancën solemne të Kuvendit për 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, tha se çdo përpjekje për ta shkëputur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga konteksti i saj historik e politik, rrezikon shtrembërimin e së vërtetës së popullit të Kosovës.

Haxhiu tha se populli i Kosovës po e përjeton si të padrejtë Gjykatën Speciale dhe gjykimin e saj, e cila sipas saj po anashkalon rrethanat në të cilat u zhvillua lufta çlirimtare.

Haxhiu tha se këtë datë e lartëson ajo që qëndron në themelin e Republikës, UÇK-ja dhe lufta e saj e drejtë për çlirim.

17/02/2026 11:51- Begaj: Ish-krerët e UÇK-së po përballen padrejtësisht me akuza të montuara nga Gjykata Speciale

Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një shtet sovran, tha presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Ai, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, tha se Kosova ishte vendi ku liria vritej, por sot liria funksionon dhe frymëzon.

“Ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej, sot është vendi ku liria funksionon dhe liria frymëzon. Kosova e sotshme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash. Ajo ecën në hapa të sigurt drejt së ardhmes pa harruar kurrë themelet mbi të cilat u ndërtua”, tha ai.

Ai përmendi ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Begaj tha se ata po përballen padrejtësisht me akuza të montuara nga Gjykata Speciale.

17/02/2026 11:16- Osmani para deputetëve: UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha sot se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët.

E para e shtetit në seancën solemne të Kuvendi tha se 18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajta në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi.

“Liria e fitua me sakrificë është e përjetshme”, tha ajo.

Osmani theksoi se UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj dhe se ajo është zemra e rezistencës kombëtare dhe përgjigja e një populli të shtypur ndaj një regjimi gjenocidal.

“Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur dhe relativizuar atë është vetëm jo e padrejtë, por edhe historikisht e pavërtetë dhe e patolerueshme”, tha Osmani.

Tutje e para e shtetit tha se krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë tjerë dhe me mbështetjen e popullit u ngritën për liri, dinjitet dhe të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar të lirë në atdhe.

17/02/2026 10:52- 18 vjet shtet, seanca solemne e Kuvendit të Kosovës

Ka nisur të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës.

Të pranishëm janë një delegacion arbëresh, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, mysafir nga Garda e Ajovës, e ambasadorë të akredituar në Kosovë.

17/02/2026 10:45- Krerët shtetërorë bëjnë homazhe në Prekaz

Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës krerët shtetëror kanë bërë homazhe tek kompleksi memorial në Prekaz, për të nderuar familjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryekuvendarja, Albulena Haxhiu, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti e kabineti qeveritar sot bënë homazhe tek varrezat e familjes Jashari që ranë për lirinë e vendit.

Përpara homazheve në Prekaz, krerët shtetërorë bënë homazhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, kompleksi memorial i të pagjeturve.

17/02/2026 10:43- Krerët e shtetit bëjnë homazhe te varri i Rugovës dhe Demaçit në 18-vjetorin e pavarësisë

Kosova sot shënon përvjetorin e 18 të Pavarësisë.

Ndërkaq, me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Në orët e mëngjesit, para objektit të Qeverisë së Kosovës është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

17/02/2026 09:59- Pamje nga Shkodra me flamurin e Kosovës, Beci: Zemra e çdo shqiptari rreh njëlloj, në gëzim, në sfida, ne jemi bashkë

Kryetari i Shkodrës, Benet Beci ka uruar qytetarët e Kosovës në 18-vjetorin e pavarësisë.

Ai në një postim në Facebook shkruan se zemra e çdo shqiptari rreh njëlloj kudo ku jetojmë, gjersa ka bashkëngjitur një video, ku bashkia e Shkodrës është ndriçuar me flamurin e Kosovës.

17/02/2026 08:33- 18 vjet shtet, krerët e shtetit bëjnë homazhe për të pagjeturit dhe fëmijët e vrarë

Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti, kanë bërë nderime te Monumenti i të Pagjeturve në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.

Ata gjithashtu kanë bërë dhe homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

17/02/2026 08:24- Mbledhja solemne e Qeverisë, Kurti: Përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës për 18-vjetorin e Kosovës, tha se në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtohen përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së Republikës sot mbahen padrejtësisht në Hagë.

Kreu i ekzekutivit theksoi se kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë.

“Sot në këtë mbledhje solemne të Qeverisë kujtojmë aktin historik të shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2009.

Kujtojmë Nderojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit, nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull. Vërtet shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Secili qytetar pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit”, u shpreh Kurti.

17/02/2026 08:01- Kurti: Sot festojmë dhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura që kulmuan me luftën e drejtë të UÇK-së

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha sot se Kosova po rritet, numri i njohjeve e fuqia e shtetit.

“Kosova po rritet. Po rritet numri i viteve të pavarësisë, numri i njohjeve të shtetësisë, ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve e fuqia e shtetit.

Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Kosovës, por lindi e pjekur sepse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata kanë punuar, kontribuar e sakrifikuar që ne të jemi të lirë e të pavarur.

Sot festojmë dhe njëkohësisht nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura të cilat kulmuan me luftën e drejtë të UÇK-së. Gëzuar pavarësia dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, ka thënë ai.

17/02/2026 08:01- Haxhiu: Sot dhe çdo ditë tjetër nderojnë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu uroi qytetarët me rastin e 18-vjetorin e pavarësisë së shtetit.

Haxhiu tha se sot dhe çdo ditë tjetër nderojnë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“Sot dhe çdo ditë tjetër kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë që sot gëzojmë. Sot nderojmë edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, për lirinë dhe pavarësinë. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale, me integritet dhe profesionalizëm”, tha ajo.

17/02/2026 07:43- Osmani uron qytetarët për 18-vjetorin e Pavarësisë: Sakrifica e popullit të Kosovës për të arritur deri këtu ka qenë shekullore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

E para e shtetit tha se sakrifica e popullit të Kosovës për të arritur deri këtu ka qenë shekullore.

“Ju uroj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për 18 vjetorin e pavarësisë së shtetit. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, që po hyn në moshë të pjekur.

Sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore, në fakt kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ne ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin më të thellë për rrugën, kontributin dhe vizionin e presidentin historik Ibrahim Rugova, për sakrificën e familjes Jashari në krye me komandantin Adem Jashari dhe për mijëra dëshmor, heronj të UÇK-së, për të gjithë ata që dhanë jetën dhe bën sakrificë në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetit tonë”, tha presidentja Osmani.

17/02/2026 07:34- 18 vjetori i pavarësisë, ngritet solemnisht flamuri para objektit të Qeverisë

Kosova sot shënon përvjetorin e 18 të Pavarësisë.

Para objektit të Qeverisë së Kosovës është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Në këtë ceremoni morën pjesë krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.