Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj Endrit Nikës, i dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e të dashurës së tij, Maria Clara Urdangaray, më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë Kosovë.

Pas vendimit të Gjykatës, nëna e viktimës, Magdalena Urdangaray, ka thënë se familja e saj ka marrë drejtësinë që ka kërkuar dhe ka falënderuar institucionet e drejtësisë së Kosovës.


“Përkundër të gjitha vështirësive, ka qenë e vështirë nga fillimi për ta rikthyer, por ne gjithmonë kemi besuar në drejtësinë e Kosovës. E vlerësojmë shumë punën e prokurorit që gjithmonë është përpjekur ta zbulojë të vërtetën. Dhe sot e ka dëshmuar me të gjitha provat. Klara e ka marrë drejtësinë. Faleminderit Kosovë, faleminderit gjithë shoqërisë që na mbështetën", tha Magdalena, ndërsa lotët i rridhnin dhe mbante flamurin e Kosovës në duar.

Megjithatë, nëna ka theksuar se asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e vajzës së saj.

“Ajo vazhdon të jetë e vdekur, asgjë nuk mund të na ngushëllojë dhe ai vazhdon të jetojë. Vajza jonë mbeti e vdekur në formë më brutale”, ka përfunduar ajo.

Vendimi i Gjykatës thekson rëndësinë e zbatimit të drejtësisë dhe ndëshkimit të krimeve të rënda, duke ofruar një mesazh për familjet e viktimave dhe shoqërinë në përgjithësi. /Telegrafi/