18 pikë negative brenda dy viteve, policia ia anulon patentë shoferin një 25-vjeçari në Malishevë

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Malishevë është anuluar patentë shoferi i një drejtuesi të automjetit, për shkak të kundërvajtjeve të përsëritura në trafikun rrugor.
Sipas njoftimit, shoferi me inicialet H.B., 25 vjeç, ka arritur numrin prej 18 pikëve negative brenda një periudhe dyvjeçare, si pasojë e shkeljeve të vazhdueshme të rregullave të trafikut.
Në bazë të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, konkretisht nenit 245, paragrafi 7, ndaj tij është shqiptuar masa e anulimit të patentë shoferit për të gjitha kategoritë e mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë. /Telegrafi/



















































