16 Ditët e Aktivizimit: Fjala jonë kundër dhunës është forcë - heshtja nuk është më zgjedhje

Nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, bota bashkohet në një kauzë që prek themelet e çdo shoqërie: zhdukjen e dhunës me bazë gjinore
Miradije Statovci
Psikologe Klinike
“16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, nuk janë thjesht një periudhë ndërgjegjësimi; janë thirrja universale për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, për ndërgjegjësim kolektiv dhe për veprim të qartë kundër çdo forme abuzimi ndaj grave dhe vajzave
Si psikologe klinike dhe drejtuese e Klinikës Galaxy, kam parë nga afër histori që nuk e lejojnë shpirtin të heshtë. Gra që vijnë me buzëqeshje të lodhur, me ankth që u rëndon në kraharor dhe me sy që mbajnë brenda tyre më shumë histori sesa mund t’i thotë fjala. Shumë prej tyre e kanë duruar dhunën për vite të tëra, jo sepse nuk e dinë se po lëndohen, por sepse u është mësuar të besojnë se “ashtu është jeta”, se “kështu ruhet familja”, apo se “nuk kanë ku të shkojnë”. Të tjera nuk kanë pasur askënd që ua beson dhimbjen.
Dhunë nuk është vetëm grushti. Dhunë është fjala që të zvogëlon, kontrolli që të merr frymën, poshtërimi që të zbërthen vetëbesimin, izolimi që të shkëput nga familja, puna dhe jeta. Dhunë është kur viktima fajësohet për plagën, ndërsa abuzuesi justifikohet. Dhe ajo që e bën dhunën edhe më të rrezikshme është normalizimi i saj - momenti kur viktima fillon të besojë se meriton dhunën, se nuk ka të drejtë të kërkojë ndihmë, apo se askush nuk do t’i qëndrojë pranë.
Në punën time e shoh përditë se si dhuna nuk përcaktohet nga statusi, arsimi apo mosha. Ajo hyn në çdo derë, prek çdo familje, lë gjurmë në shëndetin mendor, në funksionin social, në zhvillimin e fëmijëve dhe shtrihet në gjenerata. Prandaj flasim. Sepse heshtja është aleate e dhunës. Heshtja i mbron abuzuesit, e dobëson viktimën dhe e dëmton shoqërinë. Flasim që të pranojmë realitetin, të edukojmë djem e vajza në frymën e respektit, të ndërtojmë institucione që reagojnë me përgjegjësi dhe të krijojmë rrjete mbështetjeje që nuk e lënë askënd vetëm.

Në klinikë takoj gra që kanë vetëm një kërkesë: të dëgjohen pa paragjykim. Disa janë në fazat e para të kontrollit emocional, të tjera kanë kaluar vite në cikle dhune. Disa kërkojnë vetëm një konsultë, të tjera kanë nevojë për një rrugëtim më të gjatë. Por të gjitha ndajnë një të vërtetë të përbashkët: dëshirën për të jetuar një jetë të denjë dhe të lirë.
Mesazhi im për çdo grua është i qartë: nuk je vetëm, nuk je fajtore, nuk je e dobët dhe nuk e meriton dhunën. Ke të drejtë të jetosh pa frikë, dhe ka profesionistë, institucione dhe gra që e kanë kaluar këtë rrugë dhe sot jetojnë të fuqizuara. Hapi i parë është të kërkosh ndihmë.
Ndërsa mesazhi im për shoqërinë është edhe më i drejtpërdrejtë: nëse duam të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë, së pari duhet të ndërtojmë një vend të sigurt për nënat, motrat, mësueset, koleget - për çdo grua. Sepse një shoqëri që nuk i mbron gratë, nuk ka të ardhme. /Telegrafi/

















































