Në Kosovë vrasje të shumta vazhdojnë të mbesin enigmatike. Në mesin e shumë vrasjeve të pazbuluara mbesin ato të gazetarëve. Prej përfundimit të luftës, sipas të dhënave të OSBE-së, llogaritet se janë vrarë dhe zhdukur 14 gazetarë, rastet e të cilëve nuk janë zbardhur asnjëherë.
Në mesin e vrasjeve të pazbuluara tash e 22 vjet është edhe ajo e gazetarit dhe politikanit, Xhemail Mustafa. Ai ishte vrarë me armë zjarri, para banesës së tij, në lagjen “Dardania” në Prishtinë”, në nëntor të vitit 2000.
E bija e tij, Berianë Mustafa thotë se për zbulimin e kësaj vrasje ka pasur spekulime në media herë pas here, por asnjëherë nuk ka pasur asgjë konkrete.
“E rëndësishme janë udhërdhënësit, ajo pjesa që e ka hartu dhe e ka pas iden që të ekzekutohet Xhemail Mustafa, por edhe njerëz të tjerë të LDK-së. Por Xhemail Musfata në rastin si gazetar dhe si politikan, për mua është e rëndësishme me u dënu njerëzit që kanë qëndru mbrapa idesë për ekzekutimin e tij”, ka thënë vajza e gazetarit të vrarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo ka thënë se kanë dyshime personale por jo edhe fakte të prekshme të cilat do mund t’i depononin në Prokurori.
“Por, shto edhe faktin që krejt këto 20 vjet të frymës politike ndikimin e politikës në gjykata që e ka pasë, dmth nuk ke pasë fakte, gjyqësia nuk e ka bo punën e vetë edhe situata është e njëjtë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë që, tani janë bërë më shumë se një dekadë, dhe askush nga institucionet e drejtësisë, nuk e ka kontaktuar, për vrasjen e babait të saj.
“Pas rastit kur është ekzekutu babi, ka qenë një prokurore e UNMIK-ut në atë kohë, ka bo disa pyetje. Patën ardhë me disa fotografi a dyshoni në disa persona që ata i prezantojshin që për neve kanë qenë komplet fytyra të panjohura”, ka treguar Mustafa.
Ajo ka thënë se kanë pasur një po dy vizita të Prokurorisë së UNMIK-ut e pastaj kanë pasur edhe ftesë nga Prokuroria e EULEX-it me pyetje nëse kanë mbajtur në mend diçka prej kohës kur ishte vrarë Xhemail Mustafa.
“Mandej, në vitin 2012 / 2013 nuk jam e sigurt me data, mamin e kanë ftu Prokuroria e EULEX-it prej tyre ka qenë më shumë një pyetje, “çka mbani në mend, a keni me ofru diçka”? Jo ata që kishin bo diçka, po kërkojshin informata shtesë, që në rregull, po na nuk kishim çka me ofru jashtë asaj, një deklarate që e ka dhënë mami në atë kohë. Edhe po thom prej atëherë nuk kemi marrë ftesë as prej Prokurorisë dhe çështja mbetet aty ku ka fillu”, ka shtuar ajo.
Ky është një prej rasteve të vrasjeve që tash e 22 vjet, mbetet i pazbuluar nga organet e drejtësisë.