Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti për të Mitur të enjten ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit K.S., për shkak të veprës penale në vazhdim ‘sulmi seksual’ dhe “keqpërdorim seksual” i personave nën moshën 16 vjeçe.

Në njoftim thuhet se Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, përkatësisht trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi – kryetar i trupit gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin K.S., e shpalli fajtor për shkak të veprës penale në vazhdim ‘sulmi seksual’ dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej 10 vjet si dhe për veprën penale në vazhdim ‘keqpërdorimi seksual’ i personave nën moshën 16 vjeçe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër vjet.


Të njëjtit iu shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej 13 vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

I pandehuri K.S., akuzohet se në periudha të ndryshme kohore, gjatë viteve 2012–2013 dhe 2018–2022, ka ushtruar veprime të ndaluara seksuale ndaj dy të miturave të moshës 12 dhe 14 vjeçare, duke shfrytëzuar rrethana të ndryshme dhe moshën e tyre të mitur.

“Konform nenin 366 paragrafi 1 pika 1.1 të KPPRK-së, të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të merre formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt. /Telegrafi/