Policia e Kosovës për festat e fundvitit me kohë kishte të përgatitur planin operativ për të ofruar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi i Policisë së Kosovës, ishte ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale.


Po ashtu pjesë e planit ka qenë shtimi i prezencës policore në trafikun rrugor si dhe shtimi i prezencës dhe vigjilencës policore në ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve të ndryshme ku janë mbajtur organizime festive.

Gjatë natës së ndërrimit të viteve (2013/2014), situata kryesisht ka qenë e qetë në gjithë territorin e Kosovës, me përjashtim të disa incidenteve të raportuara në Policinë e Kosovës.

Incidentet e raportuara janë kryesisht lëndime trupore si pasojë e përdorimit joadekuat të mjeteve piroteknike, dhe armëve të zjarrit.

Po ashtu janë raportuar edhe për 6 raste te dëmtim pronës, prej tyre katër 4 raste të incidenteve të zjarrit dhe dy raste dëmtim prone, si pasojë e përdorimit joadekuat të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.

Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar katër persona për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit.

Këto janë rastet të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës, por mund të ketë edhe raste tjera të lëndimeve, por që mundë të kenë kërkuar trajtim mjekësor në Qendrat e Mjekësisë Familjare. /Telegrafi/