Zyrtare: Gjyqtarë të huaj do të ndajnë drejtësinë në gjysmëfinale dhe në finale të ‘play-offit’ në basketboll

Drejtori i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Adriatik Rraci, ka konfirmuar në një prononcim për RTV Dukagjinin se, ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja në elitën e basketbollit kosovar do të drejtohen nga gjyqtarë të huaj.
Kishte disa ditë që po qarkullonin zëra se gjqytarët vendorë nuk do të jenë ata që do të ndajnë drejtësinë në këto ndeshje dhe tashmë ka ardhur konfirmimi.
“Bordi ka vendosur që në fazën përfundimtare të tentohet të sillet një gjyqtar i huaj, i cili do t’i ndihmojë gjyqtarët vendorë”.
“Pas këtij vendimi, gjyqtarët vendorë nuk e kanë mirëpritur këtë ide dhe unanimisht janë shprehur se nuk dëshirojnë të vazhdojnë me këtë qasje apo me vendimin e bordit”.
“Për këtë arsye, jemi detyruar të kërkojmë në të gjitha federatat e rajonit për të gjetur nga tre gjyqtarë. Nga sot e deri në përfundim të plejofit, ndeshjet do të gjykohen nga gjyqtarë të huaj,” ka thënë Raci./Telegrafi/



































