'Zëri i të rinjve tanë – krenaria e Istogut'

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka vizituar sot nxënësit e klasës së VIII të shkollës fillore “Bajram Curri” në Istog, me rastin e lansimit të revistës së parë shkollore “Zëri i Shkollës”.
Nxënësit e kësaj klase, të emocionuar dhe krenarë, prezantuan punën e tyre kreative para kryetarit Ferati, duke dëshmuar angazhim dhe pasion të veçantë për të shprehur idetë dhe vizionin e tyre përmes kësaj platforme.
Kryetari Ferati u shpreh i impresionuar nga përkushtimi i nxënësve dhe stafit arsimor, duke theksuar se komuna do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që fuqizojnë zërin dhe talentin e të rinjve.
“Nisa ditën ndryshe sot, me energjinë dhe kreativitetin e këtyre të rinjve të mrekullueshëm. Ishte kënaqësi të pranoja një mirënjohje nga drejtoresha e shkollës, znj. Lumnije Fejzaj, dhe një letër shumë prekëse nga vetë nxënësit. Kjo është dëshmi se e ardhmja jonë është në duar të sigurta,” tha Ferati.
Revista “Zëri i Shkollës” është një iniciativë që synon të nxisë mendimin kritik, shkrimin krijues dhe pjesëmarrjen aktive të nxënësve në jetën shkollore e shoqërore./Telegrafi/










































