Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë propozuar që të zhvillohen "bisedime paqeje" me përfaqësues të Ukrainës dhe Rusisë dhe ndoshta edhe të vendeve evropiane.

Ai këto komente i bëri në një konferencë të përbashkët për shtyp së bashku me kryeministrin portugez Luís Montenegro në Kiev, transmeton Telegrafi.


"Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se do të kenë një takim të veçantë me përfaqësuesit e Rusisë dhe ata propozuan formatin e mëposhtëm, për aq sa e kuptoj unë: Ukraina, Amerika, 'rusët' dhe, meqenëse atje ka përfaqësues të Evropës, atëherë ndoshta edhe Evropa. Pse them 'ndoshta'? Sepse kjo do të ishte një [marrëveshje] logjike nëse do të zhvillohet një takim i tillë i përbashkët", shtoi ai.

Zelensky theksoi se një takim i tillë i përbashkët do të kishte kuptim, "nëse e kuptojmë rezultatin e mundshëm të takimit Amerikë-Ukrainë që ka ndodhur".

"Ne do ta kuptojmë nëse ka një rezultat pozitiv apo jo dhe do ta nisim nga aty", tha për fund presidenti ukrainas. /Telegrafi/