Zbulohet bazë kriminale në Fier, sekuestrohet arsenal armësh e municioni -arrestohet 38 vjeçari

Policia e Fierit ka zbuluar një bazë kriminale në lagjen Kastrioti të qytetit, ku mbahej arsenal armësh, pjesë armësh dhe municioni, me qëllim shitjen te kontigjenti kriminal për kryerjen e krimeve kundër personit.
Pas informacioneve të marra nga një emisionin investigativ policia arrestoi shtetasin M. R., 38 vjeç, banues në Fier, i cili u ndalua teksa lëvizte me automjet, në lagjen “Kastriot”. Nga kontrolli në automjet, iu gjet dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë që posedohej pa leje dhe një shumë parash rreth 3 mijë e 500 euro.
Në vijim, shërbimet e Policisë kanë kryer hetime të thelluara mbi veprimtarinë kriminale të 38-vjeçarit, dhe si rezultat kanë mundësuar zbulimin e një banese (aktualisht të pabanuar), në lagjen “Kastriot”, të cilën ky shtetas e përdorte si bazë armësh, pjesësh armësh dhe municioni, dyshohet për t’ua shitur grupeve kriminale.
Nga kontrolli në këtë ambient, janë gjetur dhe sekuestruar:
-10 armë zjarri automatikë, 3 nga të cilët, të modifikuar me shënjestër optike dhe me vend filetimi për silenciator;
-1 armë zjarri pistoletë;
-1 armë zjarri pistoletë automatike;
-2 silenciatorë;
-9 karikatorë automatiku;
-3 karikator pushke;
-2 krehra pistolete;
-sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. R., dhe ndërkohë vijojnë të kryejnë hetime, në koordinim me Prokurorinë e Fierit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara drejtësisë, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale. /Telegrafi/


















































