Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, pedagogu special, Arben Zabeli, ka ngritur shqetësimin për mungesën e trajnimeve profesionale për mësimdhënësit në shkollat e vendit, duke theksuar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit, sidomos për fëmijët me vështirësi në të nxënë.

Sipas Zabelit, një nga problemet kryesore është mungesa e autonomisë buxhetore të shkollave, e cila i pengon ato të organizojnë trajnime të pavarura.




“Problemi është te mungesa e buxheteve të dedikuara vetëm për trajnime. Autonomia buxhetore e shkollave pothuajse nuk ekziston. Me kërkesat e mëdha që ka shkolla dhe me vështirësitë që kanë komunat për të përballuar edhe gjërat më elementare, numri i trajnimeve është ulur ndjeshëm”, ka deklaruar Zabeli.


Ai shton se, ndonëse Ministria e Arsimit ka katalogë me trajnime të akredituara, ato rrallëherë organizohen në nivel shkolle apo komune.

“Kam hasur në shumë shkolla që akoma nuk e dinë metodologjinë, qasjen, intervenimin dhe mënyrën e përgatitjes së klasës për fëmijët me vështirësi në të nxënë”, ka theksuar ai.

Zabeli apelon që institucionet përgjegjëse të krijojnë mekanizma të qëndrueshëm për trajnime të vazhdueshme, në mënyrë që çdo mësimdhënës të ketë mundësinë të zhvillojë aftësitë profesionale për përfshirje cilësore dhe gjithëpërfshirëse në arsim.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":


- YouTube www.youtube.com