Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se këtë herë presioni ndërkombëtar ka bërë që PDK-ja të tërhiqet nga ky rast.

Ai mendon që deputetët e PDK-së nuk kanë parime.


“Po konsideroj që drejtpërsëdrejti punë trysnie që këtë herë kjo trysni ka marr edhe përmasat publike dhe jo vetëm trysnisë të fshehtë siç ka ndodhur vazhdimisht. Pra, këtë radhë kemi parë trysninë të ndodh edhe përmes mjeteve të informimit publik dhe konsiderojmë që tërheqja e Partisë Demokratike të Kosovës ose deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës që e ka iniciuar ose kërkuar këtë debat është tërheqje jo parimore. Për shkak se është treguar që nuk ka pas guximin që të dërgojnë këtë çështje deri në fund dhe në fund”, ka thënë Ymeri. 

Për më tepër, ai ka shtuar se Vetëvendosja e ka përkrahur iniciativën fillestare për krijimin e një Komisioni Ad-hoc, duke e konsideruar që Kuvendi është i domosdoshëm të bëjë një gjë të tillë që edhe ky rast të zbardhet dhe shkeljet procedurale.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani ka thënë se ata që kanë ndryshuar rekomandimet duhet të deklarohen për këtë. 

“Sikurse e thamë në seancë, kur propozuesi e ndryshon rekomandimin, atëherë të tjerët krejt çka mund të bëjnë është të thonë diçka në opinion. Por përndryshe nuk mund të kalojnë në votim ndryshe, pra ne inicialisht e kemi mbështetur, një numër i aleancës e ka mbështetur listën dhe nënshkrimet i ka dhënë, ndërsa propozuesi e ka ndryshuar rekomandimin në fund. Prandaj është çështje që duhet të shpjegojnë ata që e kanë propozuar dhe ata që kanë ndryshuar dhe jo aleanca”, ka theksuar Ramadani.

Pas hedhjes në votim me shumicë votash është hequr nga rendi i ditës, votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar për rastin “Kiçina”, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, i mbështetur nga deputetët nënshkrues.

Në këto rekomandime është kërkuar që të krijohet një Komision Ad-hoc për të shqyrtuar edhe njëherë vendimin e Gjykatës për rastin “Kiçina”./Telegrafi/