Ylli i Barcelonës, Inigo Martinez, i ka dalë në përkrahje gjyqtarit të finales së Kupës së Mbretit, Ricardo De Burgos Bengoetxea pas kritikave që mori ai nga Real Madridi.

De Burgos Bengoetxea dhe përgjegjësi në VAR, Pablo Gonzalez Fuertes, e gjetën veten në ballina të mediave para finales.


Kritikat e Gonzalez Fuertes ndaj taktikës së Real Madridit për të shpërndarë përmbajtje të gjyqtarëve para një ndeshje të madhe, ka shkaktuar polemika të mëdha në kampin madrilen.

Në një finale kaotike që u zhvillua në ‘La Cartuja’ të Sevillas, Real Madridi paraprakisht kishte kërkuar ndryshimin e trupës së gjyqtarëve dhe kishte anuluar të gjitha stërvitjet si dhe konferencën për shtyp para ndeshjes.

Teksa ndeshja po afrohej, Real Madridi u tërhoq pak, duke lëshuar një komunikatë zyrtare dhe duke i mohuar thashethemet se do ta bojkotojnë finale nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Kaosi i vërtetë shpërtheu pas përfundimit të ndeshjes, me Antonio Rudiger që po përballet me një dënim të ashpër pas hudhjes së një objekti në drejtim të gjyqtarit, teksa së bashku me gjermanin me karton të kuq u ndëshkuan edhe Jude Bellingham dhe Lucas Vazquez.

Martinez foli për këtë problem pas ndeshjes dhe mbrojtësi me eksperiencë pati vetëm lavdata për gjyqtarët në një natë të vështirë pune për ta.

“I dërgoj urimet e mia Richit dhe ekipit të tij të gjyqtarëve, ata kanë qenë në një nivel të lartë. Shpresoj se të gjithë mund të bëjmë të njëjtën”.

“Ka qenë shumë e padrejtë që të arrihet ky nivel i kritikave ashtu siç bëmë para ndeshjes dhe ne duhet t’i përkrahim ata. Ne dështojmë në jetë dhe është e vështirë”.

“Askujt nuk i pëlqen që të jetë në atë situatë. E dija se do të ishte e komplikuar, me shumë nervozizëm përreth. Jam i lumtur për të, ai është një njeri i madh profesionalizmi i të cilit gjithmonë vihet në pah”, ka thënë Martinez./Telegrafi/

telegrafi sport app