Xhamia e Plumbit jo më e rrezikuar nga përmbytjet, Rama: I janë rikthyer vlerat historike

Teksa qarku i Shkodrës u godit nga reshje shiu intensive, duke shkaktuar edhe përmbytje, kreu i qeverisë, Edi Rama, ka ndarë pamje nga Xhamia e Plumbit, e cila është tashmë e restauruar.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka ndarë pamje të kësaj xhamie, si para dhe pas restaurimit të thellë të saj, teksa cilëson se dikur ajo përmbytej çdo vit, ndërsa tanimë nuk cënohet më prej reshjeve intensive.
“Xhamia e Plumbit, një ndër monumentet më të vjetra dhe më të bukura të Shqipërisë, ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati, e cila dikur përmbytej çdo vit, sot pas restaurimit të thellë e rikualifikimit urban të territorit të saj, nuk cënohet më prej reshjeve intensive
Një ndërhyrje e mbarë që ka rikthyer jo vetëm vlerat historike dhe arkitekturore, por edhe jetën shpirtërore e vizitorët në këtë vend të shenjtë të Shkodrës”, shkruan Rama në rrjete sociale.



































