Policia afgane ka bërë të ditur se 14 punonjës të huaj janë vrarë gjatë një sulmi vetëvrasës me bombë të kryer nga talibanët.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Sediq Seddiqi, ka thënë se tetë të tjerë janë lënduar në sulmin që ka ndodhur mëngjesin e sotëm.


Seddiqi ka thënë se autobusi bartte roje të sigurisë nga Nepali të cilët punonin “për një kompani të huaj”.

Automjeti është sulmuar në rrugën kryesore që e lidhë Kabulin me qytetin lindor, Xhalalabad.

Por, autoritetet kanë thënë se në automjet ka mundësi të ketë pasur edhe persona nga shtete të tjera, ndërsa ata janë duke u munduar që të identifikojnë nacionalitetin e të gjitha viktimave.

Ende nuk është e qartë se për cilën kompani punonin viktimat.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Muhaxhid ka thënë se ky grup militantësh është përgjegjës për sulmin, duke shkruar në rrjetin social, “Twitter”, se sulmuesi vetëvrasës qëllimisht i ka pasur cak “rojet e pushtuesve të huaj”, transmetojnë mediat.

Foto: Arkiv