LAJMI I FUNDIT:

Vrasja e rëndë e mësimdhënëses në Prishtinë, deklarata e Policisë dhe Prokurorisë – gjithçka që dihet deri tani

Vrasja e rëndë e mësimdhënëses në Prishtinë, deklarata e Policisë dhe Prokurorisë – gjithçka që dihet deri tani

Qytetarët e Prishtinës të premten u zgjuan me lajmin tragjik për vrasjen e një 63 vjeçareje në Prishtinë, arsimtare e gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në kryeqytet.

Rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në rrugën “Mark Isaku”.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës kishte konfirmuar për Telegrafin se rreth orës 04:40 të së premtes kanë pranuar informatën për një trup të pajetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.


“Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person i dyshuar I. G, mashkull 70 vjeç”, tha Ahmeti.

Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Detaje për rastin – dyshohet se gruaja u vra me sëpatë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë më pas me njoftim se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Prokuroria njofton se rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.

“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pajetë.

Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thuhej në njoftim.

Fqinjët e viktimës: E pabesueshme ngjarja

Fqinjët e viktimës e konsideronin të pabesueshme këtë ngjarje. Familjen ku ndodhi rasti e përshkruajnë si familje shumë të mirë dhe se asnjëherë nuk kanë dëgjuar se kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje mes tyre.

Për Sabrie Kataroshin, fqinje e afërt me familjen, ngjarja që tronditi Kosovën mëngjesin e sotëm, ende nuk po i besohet që ka ndodhur.

Ajo thotë se ka dëgjuar në mëngjes kur janë përplasur dyert nga Policia, por thekson se si fqinjët kanë qenë të qetë.

“Nuk po mundem me besu, shumë njerëz të mirë si burri si gruaja! Jam habit që ka ndodhur. As nuk po ha e as nuk po pi. Jam tmerruar! E ka mbyt po thonë. Kurrë nuk kisha besu… E kam dëgju derën, policia sigurisht kanë ardhur, atëherë dera mbyll ka qenë dhe menjëherë dyert e korridorit janë përplasur që kurrë nuk i kam dëgjuar duke u përplasur. Atëherë ndoshta kufomën e kanë marrë”, tha ajo.

Kataroshi po ashtu thotë se tashmë e ndjera S.G., por edhe bashkëshorti i saj kanë qenë shumë fqinjë të mirë.

Ajo tregon se çifti kanë një djalë dhe një vajzë.

“Shumë njerëz të mirë… Njerëz më të mirë nuk ka pasur… Çikë e djalë i kanë, djalin e kanë jashtë diku”, theksoi ajo.

Deklaratat nga shkolla “Dardania”, ku e ndjera punonte

Drejtori i shkollës fillore “Dardania”, Isak Bregaj, thotë se lajmin për vrasjen e koleges së saj e kanë marrë përmes mediave dhe e kanë konfirmuar pastaj nga Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Begaj është shprehur se arsimtarja tani më e ndjerë të premten nuk ishte e pranishme në dy orët e para gjë që nuk kishte ndodhur më herët.

“Zakonisht arsimtarja në fjalë ka qenë një punëtore e zellshme në këtë shkollë. Lajmin për të e kam marrë në orën 10:00 sot në mëngjes, në orët e para ka pas mësim, u vonua që nuk ka ndodh asnjëherë me u vonuar e mos me më njoftuar që nuk mund të vijë në shkollë”.

“Përmes mediave kemi marrë vesh se ka vdekur një punëtore mësimdhënëse, kemi kontaktua SHSKUK-në dhe kemi marrë informacione se ka vdekur arsimtarja në fjalë…Si sot nuk kemi pas gjendje të tillë të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit kanë qenë në gjendje të rëndë”, tha ai për kp.

Drejtori i shkollës “Dardania”, thotë se arsimtarja S.G asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë ankesë.

“Nuk është ankuar asnjëherë. Kemi pasur komunikim edhe me mësimdhënësit ku zakonisht e ka një shoqëri më të ngushtë. Kemi biseduar me ta, por asnjëherë nuk është ankuar se ka pasur presion prej këtij apo atij”, tha ai.

Bregaj arsimtaren e gjeografisë e përshkroi si shumë punëtore, të qetë dhe aspak agresive.

“Ka qenë shumë e mirë, një punëtore e zellshme, mund t’i shihni edhe punimet me nxënësit, ka qenë shumë e afërt me nxënës, pothuajse qe 30 vite punon në këtë shkollë, ka qenë bashkëpunëtore shumë e mirë edhe nëpër orë ka qenë e mrekullueshme, e mirë me kolegë dhe të gjithë. Ka qenë shumë e qetë për nga natyra, nuk ka qenë asnjëherë agresive, por gjithmonë e qetë dhe shumë stabile”, theksoi ai.

Bregaj madje tha se dje e kishte takuar 63-vjeçaren, por nuk kishin vërejtur ndonjë ndryshim apo dyshim tek ajo.

“Dje ka qenë në zyrën time, jemi konsultuar për notimin e nxënësve që ka qenë nga tri në dy periudha, jemi konsultuar edhe me koordinatoren e cilësisë, asgjë nuk kemi vërejtur, përkundrazi kemi pas me shkuar të dielën në vizitë në Shqipëri, edhe ajo ka qenë pjesë e kësaj vizite”, theksoi Bregaj.

E në përkujtim të arsimtares së gjeografisë, S.G, nxënësit dhe kolegët e të ndjerës kanë ndezur qirinj në ambientet e shkollës “Dardania”, në Prishtinë.

63-vjeçare u gjet e vrarë në shtëpinë e saj në rrugën “Mark Isaku”, në kryeqytet. Vrasjen e saj dyshohet se e kreu me sëpatë bashkëshorti i saj, I.G, i cili është vetëdorëzuar në Polici dhe tashmë është i arrestuar.

Reagimet e zyrtarëve

Për vrasjen e mësimdhënëses kanë reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Rrjeti i Grave të Kosovë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se rasti i fundit i vrasjes së një gruaje mëngjesin e së premtes ka tronditur shoqërinë se fenomeni i dhunës mbi baza gjinore mbetet prezencë në familje.

“Të gjithë pranuam edhe një lajm të kobshëm në mëngjesin e hershëm një burrë vrau gruan në mënyrën më makabre duke na alarmuar të gjithëve që fenomeni i dhunës në baza gjinore mbetët jashtëzakonisht prezent në shoqërinë tonë. Në këto çaste ne ndajmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllimet me të sinqerta për jetën e humbur të bashkëqytetares sonë”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se vrasja e grave dhe vajzave është një nga temat më të dhimbshme të shoqërisë sonë.

“Vrasja e grave dhe vajzave është një nga temat më të dhimbshme të shoqërisë sonë. Prandaj, ne si institucione, bashkë me të gjithë akterët tjerë, të kujdesemi më shumë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin. Po ashtu, të punojmë sot që t’i edukojmë fëmijët tanë, vajzat e djemtë, se e ardhmja do të jetë e sigurt vetëm si të barabartë dhe pa dhunë”, thekson më tej ministrja e Arsimit.

Lidhur me rastin kanë reaguar edhe nga SBASHK-u.

“SBASHK – dhembje e trishtim për rastin tragjik në familjen Godeni. Me plot dhembje e trishtim morëm lajmin për rastin tragjik në familjen Godeni. Dhembja shtohet për të gjithë punëtorët e arsimit ngase si pasojë e dhunës familjare, që ka nisur të bëhet përditshmëri, humbi jetën mësimdhënësja dhe anëtarja e devotshme e sindikatës sonë S.G”, thuhej në reagim.

“Loti e dhembja jonë bëhet bashkë me dhembjen dhe lotin e punëtorëve arsimorë në shkollën ‘Dardania’ në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Të lutemi bashkë që ngjarje të tilla tragjike të mos ndodhin kurrë më”, thuhet më tej. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Detaje nga dosja: Viktimat e të pandehurit kishin lënë një takim para vrasjes në Klinë, një familjar tha se 'do të marrë hak'

Detaje nga dosja: Viktimat e të pandehurit kishin lënë një takim para vrasjes në Klinë, një familjar tha se 'do të marrë hak'

Drejtësi
Në vendkalimin kufitar Muriqan, policia sekuestron gati 700 mijë euro të fshehura në dyert e veturës

Në vendkalimin kufitar Muriqan, policia sekuestron gati 700 mijë euro të fshehura në dyert e veturës

Lajme
Katër të lënduar në aksidentin mes katër automjeteve në rrugën Veternik-Bresje

Katër të lënduar në aksidentin mes katër automjeteve në rrugën Veternik-Bresje

Kronika e Zezë
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Lajme
Stano: Çështja e arsimit dhe shëndetësisë në veri duhet të adresohen në dialog

Stano: Çështja e arsimit dhe shëndetësisë në veri duhet të adresohen në dialog

Lajme
Kalo në kategori