Vrasja e pesëfishtë në Gjilan, suspendohen katër zyrtarë policorë për 72 orë
Në stacionin policor të Gjilanit janë suspenduar katër zyrtarë policorë, pas vrasjes së pesëfishtë që ka ndodhur ditën e martë.
Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
"Shtabi qendror i ka suspenduar katër zyrtarë policorë për 72 orë", tha Hashani duke shtuar se tash me rastin do të merret Prishtina.
Suspendimin e katër zyrtarëve policorë e ka rekomanduar Inspektorati Policor i Kosovës.
IPK ka rekomanduar të suspendohen komandanti i Stacionit Policor, zëvendëskomandanti i Stacionit Policor, shefi i operativës të Stacionit Policor në Gjilan dhe një zyrtari i stafit civil.
Në ngjarjen tragjike që ka ndodhur ditën e martë, dyshohet se një zyrtare policore ka privuar nga jeta prindërit e saj, dy vëllezërit e më pas vetën. E gjithë vrasja është kryer me revolen zyrtare të Policisë së Kosovës, të cilën e kishte poseduar viktima V.B.
[related-to url="https://telegrafi.com/detaje-te-rejaper-tragjedine-ne-gjilan-policja-qe-dyshohet-se-vrau-prinderit-dhe-vellezerit-dhe-u-vetevra-nuk-ka-qene-e-suspenduar/"
Prokurori i rastit, Arben Kadriu, ka konfirmuar se gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjes Bllaca.
“Jemi në fazën fillestare të hetimeve. Dyshohet se një zyrtare policore në shtëpinë e saj ka vrarë prindërit, vëllezërit dhe më pas vetën. Nuk mund të japim më shumë detaje. Dyshohet se është revolja zyrtare e Policisë së Kosovës. Nuk kemi informata për motive”, ka thënë prokurori Kadriu para mediave.
Gjatë ditës së sotme pritet të përfundojë edhe obduksioni i pesë anëtarëve të familjes Bllaca. /Telegrafi/






























