Vrasja e Bedri Rexhepit, prokurori: Ekzekutor është Jeton Vllasaliu, por koka e kësaj vepre është Nexhat Vllasaliu

Gjykimi ndaj vëllezërve, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, për vrasjen e biznismenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi, i është afruar fundit.
Seanca e mbajtur më 23.05.2025 ka vazhduar me fjalët përfundimtare.
Prokurori Armend Hamiti në fjalën e tij përfundimtare tha se ekzekutor i kësaj vepre penale është i akuzuari Jeton Vllasaliu, por koka e kësaj vepre është Nexhat Vllasaliu.
“Ekzekutori po dihet që është Jetoni, por koka e kësaj vepre penale është Nexhati, sepse në mënyrë të pamëshirshme e ka ndërru vendin e kufomës”, tha Hamiti.
Sipas prokurorit Hamiti, të akuzuarit Vllasaliu kanë pasë marrëveshje paraprake për të kryer vrasjen e Bedri Rexhepit, dhe se të akuzuarit me qëllim të përfitimit pasuror kanë kryer veprën penale.
“Dy të akuzuarit me marrëveshje paraprake e kanë kry veprën penale vrasje, me qëllim të përfitimit pasuror në mënyrë tinëzare për këtë kanë marrë veprime edhe dëmtimin e kufomës me shmang përgjegjësinë penale”, tha prokurori Hamiti.
Tutje, prokurori Hamiti lidhur me të akuzuarin Nexhat Vllasaliu tha se ka tentuar të paraqitet si njeri i mirë.
“Nexhati prej fillimit ka tentu me u paraqitë si njeri që po don me na ndihmu me u zbardh ky rast, pasi u arrestu Jetoni u thirr në takim edhe mulla Osmani, thotë nëse di diçka 10 gjaqe ia u kom borxh. Pra paraqitet kinse po ndihmon për me qenë në rrjedha që a po zbulohet edhe ky”, tha prokurori.
Ndërsa avokati i palës së dëmtuar, Besnik Berisha, në fjalën e tij përfundimtare tha se dënimi për të akuzuarit të jetë maksimal, dhe se ky rast është rasti më i rëndë që ka përjetuar dikush në këto 26 vite.
“Dënimi për të akuzuarit të jetë maksimal që ligji e parasheh, jo vetëm që këta e kryjten krimin e nuk u penduan asnjëherë por për shkak që ky është rasti më i rëndë që ka përjetuar dikush në këto 26 vjet, për shkak se përpjekjet e atyre që po apelojnë për pafajësi ishin aq të liga, aq të tmerrshme sa u munduan të inkriminojnë edhe njerëz që s’kishin hak e as hile”, tha avokati Berisha.
Seanca është duke vazhduar me fjalën përfundimtare të avokatit Berisha.
Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Medie Bytyqi, kryetare e trupit gjykues dhe dy anëtarët, Gent Beka dhe Agim Kuqi.
Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.
Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu, më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë, Janjevë. Pastaj, i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.
Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.
Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë, si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave./Kallxo.com/


















































