Nga Koalicioni VLEN në një kumtesë për media thonë se "Ali Ahmeti, dhelpra e vjetër e politikës, që për vite është paraqitur si “mjeshtër i zanatit”, sot është shndërruar në lojtar të plagosur që pret ekzekutimin politik pikërisht nga ish-bashkëpunëtori i tij më i afërt".

Duke folur për vetëdorëzimin e Grubit, nga VLEN thonë se "kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së u vu në dispozicion të drejtësisë. E vërteta pashmangshëm do të fillojë të dalë në sipërfaqe".


"Artan Grubi nuk ishte një funksionar i zakonshëm. Ai ishte zbatuesi, koordinatori dhe njeriu i besuar për të gjitha vendimet kyçe gjatë viteve të fundit. Nga marrëveshjet prapa skenës, te tenderët e dyshimtë e deri te pazaret politike, Grubi ishte i pranishëm kudo ku ndërtohej pushteti i BDI-së. Prandaj sot nuk bëhet fjalë vetëm për përgjegjësi individuale, por për një sistem që ka filluar të shpërbëhet".

"BDI e di shumë mirë pse e ka kapluar paniku. Frika nuk është nga drejtësia, por nga shumë gjëra që Artan Grubi di dhe nga gjithçka që ai mund të nxjerrë në dritë. Ai është dëshmitar i aferave të errëta, pazareve politike, e i marrëveshjeve që për vite me radhë janë bërë në dëm të qytetarëve. Arresti shtëpiak është pasojë e gatishmërisë së Grubit për t’u përballur institucionalisht me mëkatet e tij. Thelbi është se institucionet më në fund po e hapin temën që BDI e ka varrosur prej vitesh, si është ushtruar pushteti dhe ku kanë përfunduar vendimet dhe paratë".

"Pas humbjes katastrofale në zgjedhjet lokale dhe pas shembjes së premtimeve të rreme për zgjedhje të parakohshme dhe “hyrje të sigurt” në Qeveri, BDI po përballet me momentin më të rëndë të ekzistencës së saj politike. Rikthimi i Grubit nuk është fundi i procesit. Është fillimi. Fillimi i një zbërthimi që mund të çojë në demaskimin e plotë të mënyrës se si ka funksionuar BDI. Pyetja nuk është më nëse do të ketë pasoja politike, por sa të thella do të jenë ato".

"Nëse kutia e zezë është Grubi, atëherë hapja e saj nënkupton goditje të drejtpërdrejtë ndaj Ali Ahmetit. Dhe derisa opinioni pret drejtësi, mbetet për t’u parë kë do ta ngrehë me vete në ditët që vijnë. Nga sot, BDI nuk e kontrollon më narrativën. Përkundrazi, e vërteta ka nisur ta kontrollojë BDI-në", thonë nga VLEN.