22 shtatori shënon edhe zyrtarisht fundin e stinës së verës dhe ditëve të ngrohta dhe fillimin e stinës së vjeshtës, e ku priten edhe rënie e temperaturave.
Po në këtë ditë do të ndodhë ekuinoksi vjeshtor, ku dita dhe nata do të zgjasin nga 12 orë. Por, derisa vjeshta do të fillojë në hemisferën veriore të tokës, në atë jugore fillon pranvera.
E ngjyra vjeshte tashmë ka filluar të marrë qyteti i Prishtinës.
Derisa mbrëmjet kanë filluar të ftohen, ditët vazhdojnë të jenë ende të ngrohta.
E se do të kemi një vjeshtë të qetë dhe pa reshje të mëdha të shiut për Telegrafin kanë njoftuar edhe nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Besim Aliu nga IHK-ja në një deklaratë për Telegrafin bëri të ditur se fillim vjeshta në territorin e Kosovës do të jetë e qetë dhe pa reshje të mëdha shiu.
“Për ta caktuar drejtë se a do të ketë reshje apo edhe vërshime gjatë tërë stinës së vjeshtës është e pamundur të dihet pasi moti ndryshon shumë shpejtë, por në përgjithësi në Kosovë nuk parashikohet të ketë reshje të mëdha të shiut, përveç atyre lokale ku pritet të jenë më shumë prezentë në Rrafshin e Dukagjinit sesa në atë të Kosovës”, deklaroi Aliu.
Në videon e realizuar nga kameramani i Telegrafit, Burim Mjeku mund t’i shihni pamjet e mrekullueshme të kryeqytetit në ditën e parë të vjeshtës. /Telegrafi/