LAJMI I FUNDIT:

VITI 2012: 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe protestat për reciprocitet me Serbinë

VITI 2012: 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe protestat për reciprocitet me Serbinë
Kurti në protestën e 14 janarit 2012

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 2012?Shqiptarët anekënd botës, më 28 nëntor festuan 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Liderët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, në këtë 100-vjetor kanë dhënë deklaratat të “zjarrta” në favor të bashkimit të kombit shqiptar, në një shtet të vetëm. Sidomos kryeministri Sali Berisha. Në Shkup, më 25 nëntor, ai bëri thirrje për bashkimin e shqiptarëve: “Dua t’i bëj thirrje shqiptarëve, të punojmë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre”. Në Tiranë, më 27 nëntor, gjatë inaugurimit të shtatores së Adem Jasharit tha: “Le të punojmë ne të gjithë krenar me heroizmin tënd, për një komb shqiptar të bashkuar në të gjitha trojet e tij etnike”. Po të njëjtën datë, në mbrëmje në Vlorë foli për pavarësinë e Shqipërisë etnike, të Shqipërisë të të gjitha trojeve shqiptare – nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Këto sollën reagimet nga Greqia, nga Maqedonia, nga ShBA-ja, si dhe nga Këshilli i Ministrave të BE që përfshiu një paragraf për Shqipërinë ku kërkohej shmangia e deklaratave që shkojnë kundër frymës së fqinjësisë së mirë. Berisha më 12 dhjetor i zbuti fjalët dhe tha se “nuk ka as edhe një ambicie territoriale”, duke shtuar se ekziston një frymë albanofobe në rajon. Kështu, hapi i vetëm drejt “bashkimit”, më 2012, ishte Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Kjo Abetare nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe të Kosovës është vlerësuar “si realizim i një ëndrre të kombit shqiptar”. Për përurimin e Abetares, liderët shtetërorë zgjodhën Prizrenin.

Torta e pavarësisë

Por, viti 2012 në Kosovë nuk fillon me festa, por me trazira. Pakënaqësitë me procesin e bisedimeve me Serbinë sollën deri te përplasjet serioze të Policisë së Kosovës me aktivistët dhe zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në afërsi të Merdarës. Në një protestë të 14 janarit, kjo parti politike e udhëhequr nga Albin Kurti synonte të vendoste masa reciprociteti me Serbinë dhe ndalonte produktet e këtij vendi në Kosovë. Protestat e Vetëvendosjes u përsëritën edhe më 22 janar, por nuk e vendosën reciprocitetin me Serbinë. Reciprociteti nuk ndodhi as më 2022, kur pushtetin në Kosovë ishte në duar të Vetëvendosjes.

Pamje nga protestat e Vetëvendosjes pranë Merdarës

Më 2012 nisin grushtet mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje! Fillimisht, deputeti i PDK-së, Latif Gashi – Lata, e ka sulmuar fizikisht deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimin, në dalje të Kuvendit, ndërsa menjëherë ka pasuar sulmi tjetër i deputetit të Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, ndaj deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu-Kamishi.


Në negociata me Serbinë, më 2012, Kosova pranon marrëveshjen për asteriskin që do të vendoset pranë emrit të saj gjatë prezantimeve në nisma e konferenca rajonale. Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri e kishte cilësuar këtë (fusnotë) si një fjollë bore që do të shkrihet. Më 2012 fillojnë bisedimet Prishtinë-Beograd në nivel të kryeministrave. Takimi i parë simbolik u mbajt më 19 tetor në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton. Nga tri takimet e zhvilluara në Bruksel ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit, doli dakordimi i tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit. Kjo marrëveshje ishte cilësuar nga Thaçi si njohje e kufirit të Kosovës nga ana e Serbisë, përderisa Daçiqi kishte thënë se ishte arritur një marrëveshje që njeh kufirin administrativ dhe jo shtetëror të Kosovës.

Pamje pas tragjedisë në Restelicë

Më 2012 ndodhi një tragjedi: orteku në fshatin Restelicë të Dragashit, më 11 shkurt merr jetën e nëntë pjesëtarëve të familjes Reka, përderisa e ngujuar në borë – e vetmja që i shpëtoi këtij orteku – ishte vogëlushja Asmira Reka, pesë vjeçe. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga shpalli 13 shkurtin si ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka.

Pranvera 2012 i solli Kosovës premtimet e Bashkimit Evropian për perspektivën e saj evropiane. Ishte vetë komisionari Stefan Fule ai i cili lansoi studimin e Fizibilitetit për Kosovën si hap i parë drejt negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Më pas, më 14 qershor, Kosova mori edhe udhërrëfyesin, por jo edhe datën e liberalizimit të vizave.

Më 2 korrik, Grupi Drejtues Ndërkombëtar në takimin e mbajtur në Vjenë vendosi që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës të hiqet më 10 shtator. Për nder të kësaj date, në Prishtinë u ftua edhe arkitekti i statusit të Kosovës si shtet i pavarur, Martti Ahtisaari, si dhe personalitetet tjera ndërkombëtare. Me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, Plani i Presidentit Ahtisaari në bazë të cilit edhe ishte shpallur pavarësia e Kosovës e koordinuar me ShBA-në dhe vendet më të fuqishme evropiane, u vlerësua se ishte përmbushur në nivelin e kënaqshëm, ndonëse të gjithë akterët pranuan se ky plan nuk ishte zbatuar në komunat veriore. Ndonëse iu dha fundi mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova njëherësh u pajtua t’i japë fuqi ekzekutive misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, me çka prania ndërkombëtare ruajti një pjesë të konsiderueshme të kompetencave në fushën e sundimit të ligjit. Kompetencat e tij EULEX-i i ushtroi në disa raste. Por, ai që më së shumti bëri bujë ishte rihapja e procesit ndaj nënkryetarit të PDK-së dhe deputetit Fatmir Limaj të akuzuar për dy vepra, njërën për krime lufte dhe tjetrën për korrupsion e krim të organizuar. Procesi i gjykimit e më pas rigjykimit ndaj Limajt, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës në procesin e njohur si “Kleçka”, nga ana kosovare u cilësua si proces politik, kurse nga EULEX-i si proces i vendosjes së drejtësisë. Limaj më vonë shpallet i pafajshëm.

Hillary Clinton, Hashim Thaçi dhe Catherine Ashton

Në vitin 2012, shteti më i ri evropian merr 12 njohje të reja, por kjo nuk rrumbullakoi e simbolikën e 100 njohjeve të shtetit të Kosovës. Ndërsa, më 31 tetor, Kosovën e viziton Sekretarja  amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Viti 2012 ishte vit i disa skandaleve. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është ballafaquar me shumë sfida dhe skandale gjatë vitit 2012. Dyshohet se janë keqpërdorur 1.4 milionë euro, të destinuara për prodhimin e pasaportave biometrike. Mjetet për prodhimin e pasaportave ishin paraparë të shkojnë në kompaninë “Osterreichische Staatsdruckerei”. Për shkak të “avullimit” të 1.4 milionë eurove, është arrestuar shtetasja gjermane Natali Veliaj. Skandali tjetër ishte ai që edhe sot njihet si “Pronto”: përgjimet e telefonave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Adem Grabovcit, Vlora Çitakut dhe Sami Lushtakut. Në bisedat e tyre telefonike më i atakuari ka qenë kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi. Ndërsa, ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i dënuar me tre vjet burgim, i shmanget dënimit duke ikur në Suedi.  E, në Dhomën e Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë, gjatë vitit 2012 janë vjedhur mbi 25 kilogramë ari. Pas kësaj vjedhje ka pasur edhe arrestime të zyrtarëve policorë. Për këtë skandal Qeveria e Kosovës është kritikuar ashpër nga përfaqësuesit e partive opozitare dhe shoqëria civile. Pas disa muajve, Inspektorati Policor i Kosovës kishte organizuar një aksion, ku kishte arrestuar disa persona në Pejë dhe kishte sekuestruar mbi 25 kilogramë ari. Por, nuk dihej nëse ari i sekuestruar është i Dhomës së Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë.

Ngjarje tjetër me rëndësi më 2012 ishte edhe kjo: Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, më 29 nëntor 2012 shpall të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe dy ish-bashkëluftëtarët e tij duke i liruar ata nga të gjitha akuzat. Haradinaj u prit me ceremoni shtetërore dhe me turma njerëzish të mbledhur nëpër rrugët e Prishtinës.

Haradinaj kthehet në Prishtinë

Në vitin 2012, Barack Obama fitoi mandatin e dytë si president i ShBA-së, gjë që u vlerësua të ketë rëndësi më të madhe se fitimi i mandatit të parë më 2008, sepse amerikanët këtë herë votuan në bazë të rezultateve dhe të besimit se do ai t’i përfundojë punët e lëna në gjysmë.

Më 2012 janë mbajtur edhe tri palë zgjedhjet të rëndësishme presidenciale, në tri shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit: në Kinë, në Rusi dhe në Francë. Xi Jinping filloi ngritjen si njeriu më i fuqishëm në Kinë. Ndërsa, Vladimir Putini emërohet sërish president i Rusisë. Emërimi i tij është përcjellë nga reagime të shumta. Dhjetëra-mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Moskës dhe qyteteve tjera; dhjetëra aktivistë janë arrestuar. Zgjedhja e tij, për të tretën herë në Kremlin, ka hasur në shumë parregullsi dhe për këtë kanë raportuar shumë organizata ndërkombëtare. Jinping dhe Putini sot janë njerëzit më të rrezikshëm për demokracinë dhe paqen në botë. Ndërsa, François Hollande i Partisë Socialiste fiton zgjedhjet në Francë. Ai zhvilloi një fushatë që është fokusuar në rritjen ekonomike – për dallim nga masat shtrënguese – një politikë kjo që menjëherë e vuri kreun e ri francez në konflikt me Gjermaninë.

Protestat kundër Putinit në Moskë

Lindja e Mesme ishte kriza më e madhe e trazirave, sidomos Lufta Civile në Siri ku nuk kishte unitet ndërkombëtar për ta zgjidhur si duhet problemin në këtë vend: në njërën anën ishin amerikanët dhe aleatët perëndimorë, e në anën tjetër Kina dhe Rusia që mbështesin regjimin e Bashar al-Assadit. Problem tjetër ishte Irani dhe programi i tij nuklear, për shkak të të cilit shtetet perëndimore i kanë vënë sanksionet ekonomike, ndërsa në shumë raste janë dëgjuar pretendimet për luftë të Izraelit dhe ShBA-ve kundër këtij shteti. Ndërkaq, vendimi i Asamblesë së OKB-së për ta pranuar Palestinën si shtet vëzhgues, cilësohej si mbështetje e botës për interesat palestineze. Por, gjërat nuk ishin pozitive në terren, meqë Izraeli nuk tërhiqej: në shkurt dhe tetor trupat e saj kanë bombarduar Rripin e Gazës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe njerëzore në territoret palestineze.

Alepo më 2012

Ngjarje e veçantë më 2012 ishte edhe ndarja e Çmimit Nobel për Bashkimin Evropian. Derisa shumë kritikë e kanë përqeshur këtë vendin, sipas të tjerëve çmimi ka rëndësi sepse çmoi kontributin e gjashtë dekadave të Unionit për zhvillimin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në Evropë, për solidaritetin dhe besimin për ndryshimin pozitiv të botës. Viti 2012 do të mbahet mend për ca përparime në fushën e të drejtave të njeriut në Evropë. Por, ndër shembujt më të veçantë të abuzimeve me të drejtave të njeriut cilësohet urrejtja ndaj gazetarëve në Turqi dhe ndaj romëve në Hungari. Shkelja e të drejtave të njeriut ka ndodhur edhe në Afrikë. Fundamentalistët islamikë marrin kontrollin në Mali ku vendosën rregulla talibane, që përfshinin ndalimin e dëgjimit ose bërjes muzikë, gjë që ndalohej madje me këputjen e dorës. Në Republikën Jugafrikane vazhdoi dhunimi brutal i lezbikeve, akt ky që cilësohej si “korrektues” që do të duhej të ndryshonte orientimin e tyre seksual.

Karikaturë e publikuar pas ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe

Viti 2012 ka shënuar më pak katastrofa, por kjo nuk do të thotë se ato kanë munguar. Sipas të dhënave, katastrofat më 2012 kanë marrë jetët e 11 mijë personave, derisa një vit më parë, vetëm në Japoni nga cunami kanë vdekur 15 878 njerëz. Kur është fjala te dëmet ekonomike, ato i ka pësuar më së shumti ShBA-ja me super-stuhinë “Sandy” që në fund të tetorit ka goditur bregun lindor të vendit, me dëme që vlerësoheshin në 30-50 miliardë dollarë.

Sipas Organizatës Botërore të Meteorologëve, sasia e dioksidit të karbonit më 2011 ka arritur nivel rekord, pikën pa kthim.

Vitin 2012 e kanë karakterizuar vërshimet në shumë vende të botës: Kinë, Rusi, Britani të Madhe, Indi, Kore të Veriut, Pakistan etj. Ndërsa, Afrikën e kanë kapluar thatësira të mëdha nga të cilat 18 milionë njerëz mbetën pa ushqim të mjaftueshëm.

Zbulimi më i madh i vitit 2012 cilësohet “Grimca e Zotit”, apo “Bozoni i Higsit”, të cilit shkencëtarët e kanë kërkuar 40 vjet rresht dhe i cili do të ndihmojë shkencëtarët ta zbërthejnë më mirë masën, Big Benin dhe vet jetën.

Vlen ta përmendim edhe datën më të diskutuar të vitit: 21 dhjetorin 2012, si fundin e botës. Sërish, fatmirësisht shpëtuam! /Telegrafi/

Pamje nga vërshimet e uraganit “Sandy” në ShBA